“Trade finance”, huani lë pas euron

03/12/2013 00:00

Të gjithë kanë kthyer sytë nga Lindja, drejt Kinës, atje ku kriza ekonomike globale nuk ka hyrë dot. Vendi i madh aziatik vazhdon rritjen ekonomike galopante dhe përvecse shndërrimit në ekonominë e dytë më të madhe në botë, tashmë ka edhe monedhën e dytë më të madhe në botë.

Sipas “Society for Worldwide Interbank Financial Telecommunication”, huani kinez la pas Euron duke u shndërruar në monedhën e dytë më të qarkulluar në botë në atë që njihet si “trade finance”, fill pas dollarit amerikan që vazhdon të ruajë hegjemoninë e tij prej vitesh.

Për përcaktimin se sa i përdorur ishte huani në shkëmbimet tregtare dhe financiare, shoqëria në fjalë përdori të dhënat e siguruara nga bankat më të mëdha në botë që ushtrojnë aktivitet në Azi, Europë dhe Amerikë.

Në përfundim bilanci për monedhën më të përdorur ishte i njëjti, dollari amerikan, por surpriza mbërriti tek vendi i dytë, ku nuk rezultoi më monedha e përbashkët europiane, që ruante këtë pozicioni që nga themelimi i saj, por huani kinez. Kina, Hong-Kongu, Singapori, Gjermania dhe Australia janë përdoruesit më të mëdhenj të huanit në shkëmbimet tregtare.

Parakalimi i huanit ndaj Euros është galopant po të kihet parasysh që kjo monedhë vetëm në janar të 2012-ës zinte vetëm 1.89 të tregut të shkëmbimeve financiare tregtare, ndërsa në të njëjtën periudhë, Euro zotëronte 7.87 përqind.

Krejt e kundërta sot, huani zotëron 8.66 përqind të tregut dhe Euro 6.64 përqind. Sipas ekspertëve, shkak i rënies së Euros është pasiguria e monedhës së përbashkët për shkak të krizës së stërzgjatur financiare në Eurozonë.

Megjithatë, në përdorimin e përgjithshëm në rang global, huani kinez vazhdon të jetë larg, në vendin e 12-të.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB