“Reformat e forta nuk do ndalen”

03/12/2013 00:00

Pjesëmarrës në takimin “Miqtë e Europës”, Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati deklaroi se edhe nëse Këshilli i Ministrave i BE-së nuk do të japë një vendim pozitiv për statusin, reformat e forta që ka nisur qeveria shqiptare nuk do të ndalen.

Sipas Bushatit, qeveria do të japë shembuj konkretë për rastet e korrupsionit apo ato të abuzimit me detyrën. Për Bushatin, cështja nuk qëndron tek arrestimi i një apo dy zyrtarëve, por tek rikthimi i besimit tek drejtësia.

Top Channel: Nëse nuk merret një vendim pozitiv nga Këshilli i BE-së në 17 Dhjetor, cili do të ishte impakti për reformat në vend?

Ditmir Bushati, Ministër i Jashtëm: Shqipëria është një vend që duhet të vazhdojë të bëjë reforma të forta përsa i takon shtet-ndërtimit, sepse procesi i shtet-ndërtimit kërkon reforma të mundimshme dhe natyrisht që akordimi i statusit kandidat do të ishte një sinjal i qartë inkurajues për Shqipërinë për të vazhduar në rrugeën e reformave. Nga ana tjetër nuk duhet të lidhim një datë shumë vendimtare për ne si dhjetori, me ndërprerjen e reformave. Shqipëria në cdo rast do duhet të vazhdojë me reformat sepse ato janë të rëndësishme në radhë të parë për shqiptarët dhe shoqërinë shqiptare dhe në radhë të dytë bëhen në funksion të procesit të integrimit europian.

Top Channel: Duke marrë parasysh dhe videot e Fiks Fare për korrupsionin në drejtësi, a mendoni se Shqipëria po shkon drejt procesit të “sanaderizimit”, a do të ketë arrestime?

Ditmir Bushati: Ne kemi një axhendë ambicioze për sa i takon reformave në fushën e sundimit të ligjit. Sanaderizimi ka qenë një ndër temat e mia të preferuara kur kam qenë në opozitë dhe besoj ne do të japim shembuj konkret që qeverisja e re ka një qasje të re e të ndryshme ndaj rasteve të korrupsionit apo ndaj rasteve të pretendimit të abuzimit me detyrën, qoftë kjo brenda radhëve të ekzekutivit, brenda radhëve të pushtetit vendor apo në radhët e drejtësisë. E rëndësishme është që ne e njohim si fenomen. Nuk e fshehim që drejtësia është në ditët e saj më të vështira. Po punojmë me Komisionin Europian dhe Komisionin e Venecias për të ndërmarrë një reformë të plotë dhe solide në mënyrë që kur të ulemi në tryezë me Bashkimin Europian për kapitullin 23 dhe 24 ne jo vetëm të kemi një situatë të ndryshme në sistemin e drejtësisë, por mbi të gjitha të kemi një besim më të madh të qytetarëve tek këto institucione. Pra nuk është çështja veç tek arrestimi i 1-2 zyrtarëve, por është fjala për rikthimin e besimit të opinionit publik tek drejtësia, qe sot për sot i mungon.

Përgatiti Arta Tozaj

Top Channel