Metali që thjesht vijon të na shërbejë

03/12/2013 00:00

Dyqind vjet më parë, asnjë nuk e dinte se alumini ekzistonte. Sot
gjendet gjithkund, në kanoçe, korniza dritaresh, paketim, madje edhe
nëpër makina. Përdorime të reja po zbulohen për të, por është gjithashtu
e mundshme që ne të jemi në gjendje të ndalojmë nxjerrjen e mineralit
dhe të bazohemi tërësisht te riciklimi.

Alumini ka një personalitet të ndarë. Mund të duket i mërzitshëm, por është një nga metalet më reaktive në tabelën periodike.

“Zjarret e aluminit janë me të vërtetë tmerruese”, thotë Andrea Sella, profesor kimie në Londër.

“Kur ti merr alumin dhe e djeg atë, merr një zjarr me të vërtetë shumë, shumë intensiv.”

Nga ky këndvështrim, mund të mos jetë materiali ideal për ndërtimin e avionëve, por ky disavantazh anashkalohet nga fuqia, elasticiteti dhe lehtësia e jashtëzakonshme.

Alteregoja e metalit të butë dhe të farkëtueshëm është oksidi i aluminit, i cili formon një lëkurë mbi metalin e pastër në momentin që ai ekspozohet në ajër (dhe e bën me pak gjasa që një avion të marrë flakë).

Ky oksid është kaq i fortë sa përdoret për të prodhuar letër smeril dhe materiale të tjera abrazive.

Mes gurëve të çmuar, safirët – kristalet e prodhuara nga oksidi, janë vetëm të dytat pas diamanteve në fortësinë e vet.

Me të vërtetë, ka një industri në rritje të prodhimit të safirëve në përmasat e një pallaske, e përshtatshme për përdorim në xhamin antiplumb, dritaret e avionëve dhe së shpejti ekranet e pagërvishtme të celularëve inteligjentë.

Megjithëse alumini është elementi i tretë më i rëndësishëm në koren e tokës, ai nuk ishte izoluar deri më 1825-n dhe mbeti kaq i rrallë sa për shumë dekada kishte një çmim më të lartë sesa argjendi.

Arsyeja se pse mbeti i fshehur për kaq gjatë, ndryshe nga floriri apo argjendti, është se ai është tepër reaktiv që të gjendet në formë të pastër.

Përkundrazi, gjendet si bauksid, xeherori i kuqërremtë që e ka emrin sipas qytezës franceze Le Bo (Les Baux) ku u zbulua për herë të parë.

Bauksidi gjendet në të gjithë botën dhe nxjerrja e këtij xeherori është pjesa më e lehtë. Shumë më e komplikuar është nxjerrja e metalit. Duhej të vinte viti 1886 që një francez dhe një amerikan më së fundmi e zbuluan se si.

Duhet ta shkrish bauksidin në një mineral tjetër të quajtur kriolit dhe pastaj të kalosh në të energji elektrike, duke ndarë atomet e oksigjenit nga alumini. Kërkohen katër tonë bauksidi për të prodhuar një ton alumini.

Procesi kërkon sasi të stërmëdha energjie dhe rrjedhimisht është i kushtueshëm. Por riciklimi i aluminit përdor vetëm një pjesë të vogël të energjisë së kërkuar për prodhimin e tij nga e para.

“Kanoçet e pijeve mund të riciklohen brenda 60 ditëve dhe rrjedhimisht një kanoçe sodë mund të kthehet e rimbushur në raft 60 ditë pasi është konsumuar”, thotë Nik Mejden (Nick Madden), i cili është përgjegjës për blerjen e metalit bruto për Novelis, prodhuesit më të madh të fletëve të aluminit në botë.

Sapo të marrësh metalin, ti mund ta ripërdorësh atë sërish dhe sërish, pothuajse pafundësisht.

“Është një nga të paktat materiale që është 100 për qind i riciklueshëm”, thotë Mejden.

Në teori, mund të vijë një ditë kur ne të kemi nxjerrë nga toka të gjithë aluminin që kemi nevojë dhe pas kësaj thjesht mund të ripërdorim atë që sakaq e kemi.

“Nëse kërkesa ndalon së rrituri dhe skrapi fillon të furnizohet edhe nga përdoruesit e vjetër si ndërtesat, atëherë do të fillojë të reduktohet konsumi që duhet të mbulohet nga prodhimi primar”, thotë Mejden.

Për tani, gjithsesi, kërkesa po rritet dhe prodhuesit e makinave janë një prej kërkuesve të rinj. Strukturat më të lehta të makinave krijojnë kushte për eficiensë më të lartë konsumimi karburanti, rritjen më të mirë të shpejtësisë dhe frena më të sigurta. Rrjedhimisht edhe më pak çlirime karboni.

Novelis beson se nga industria e makinave është krijuar një kërkesë shtesë për alumin prej 25 për qind, pothuajse e gjitha e krijuar nga klientët më të mëdhenj në këtë sektor si Jaguar Land Rover. Kjo kompani ka filluar të ndërtojë Range Rovers prej alumini.

Makina e re përdor 25 për qind më pak karburant pjesërisht për shkak se konstruksioni i saj është 39 për qind më i lehtë, duke bërë që në tërësi makina të peshojë 420 kilogramë më pak.

“Kjo është e barasvlefshme me pesë njerëz”, thotë Nik Roxhers (Nick Rogers), drejtori i kompanisë Range Rover për linjën e automjeteve.

“Pra nëse imagjinoni të qarkulloni me të gjithë familjen tuaj në makinë, do të ndieni se sa e lehtë është ajo. Kur hipën në makinën e re Rover Sport, e gjithë familja juaj nuk peshon më.”

Aktualisht, Novelis siguron pothuajse 50 për qind të aluminit të përdorur për Range Rover-at e rinj nga riciklimi – kanoçe të boshatisura, makina të vjetra, ndërtesa të shkatërruara etj., dhe ka në plan që riciklimi të zërë 80 për qind të konsumit të kësaj kompanie rreth vitit 2020.

Por është një sfidë më vete që të sigurohemi që më shumë alumin gjen rrugën e vet drejt sistemit të riciklimit.

“Në Britaninë e Madhe, unë besoj se norma e riciklimit (për mbetjet e aluminit nga konsumi familjar) është rreth 75 për qind”, thotë Mejden.

Megjithëse nxjerrja e xeherorit të bauksidit pritet të jetë ende i nevojshëm edhe për shumë vite, në ditët e nipërve dhe mbesave tona, mundet që thjesht riciklimi të mjaftojë, gjithmonë nëse e gjithë sasia e përdorur arrin të riciklohet dhe nëse ne vijojmë të gjejmë përdorime të tjera të aluminit – qoftë në formën e lehtë dhe të përkulshme metalike, qoftë në atë mënyrën e fortë dhe pothuajse të pagërvishtme të safirit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta