Kryetari i Partisë Demokratike Lulëzim Basha tha se opozita mbështet cdo paketë ligjore që forcon luftën kundër korrupsionit, por është kundër cdo lloj demagogjie që sipas tij nuk godet në thelb fenomenin.

“Ne mbështesim plotësisht cdo paketë ligjore që forcon luftën kundër korrupsionit, sikundër jemi kategorikisht kundër cdo shfaqje demagogjike e cila jo vetëm që nuk e forcon luftën kundër korrupsionit, por duke bërë sikur s’e forcon dhe në fakt duke mos dhënë asnjë vlerë të shtuar në mekanizmat ekzistues, kthehet në një ‘boomerang’. Fjalët fliten dhe procesi mbetet në vendnumëro. Pra kthehet në një alibi në mosluftimin e korrupsionit. Ne jemi koherentë edhe me qëndrimin e partnerëve tanë, me SHBA nëpërmjet misionit të tyre OPDAT e kanë bërë qëndrimin e tyre të qartë, sot OSBE po kështu e ka bërë qëndrimin e tyre të qartë”, tha Basha.

Duke iu referuar denoncimit të bërë në emisionin ‘Fiks Fare’, sa i përket korrupsionit në gjyqësor në prokurorinë e Pukës, kryetari Basha tha se nevojitet hetim gjithëpërfshirës për të vënë përgjegjësit para ligjit.

“Është e domosdoshme të ketë një proces hetimi të thellë, të vërtetë dhe gjithëpërfshirës për të identifikuar qartësisht përgjegjësit dhe për t’i vënë ata pa vonesë para forcës dhe ndëshkimit të merituar me ligj. Ky është qëndrimi që PD ka mbajtur edhe për rastin në fjalë. Natyrisht kemi qenë dhe jemi kundër cdo gjuetie shtrigash dhe cdo inskenimi për të hequr vëmendjen, fokusin nga thelbi i luftës së vërtetë kundër korrupsionit në drejtësi”, shtoi kreu i opozitës.

Këto deklarata kryetari i Partisë Demokratike i bëri në auditor gjatë një bashkëbisedimi me studentë, ku vlerësoi protestat e të rinjve kundër asgjesimit të armëve kimike të Sirisë në vendin tonë. Sipas kryetarit të opozitës, këto protesta shënuan një stad të ri për demokracinë shqiptare dhe duhet të vijojnë të jenë të tilla edhe në të ardhmen për të kontestuar cdo vendim qeverie që bie ndesh me interesat e shoqërisë.

Top Channel