Tjetri nga ana tjetër

02/12/2013 00:00

JANI DURI – Ai tani rri në anën ku më parë kishte ndenjur Ai, kurse
tjetri – në anën tjetër.Se si ndodhi që ata të dy u ndodhën në të
kundërtat e anëve, për këtë duhen bërë analiza të hollësishme. Secili i
bën vetë analizat e veta por asnjërit, asnjë analizë nuk i del e
rregullt, sidomos kur i krahason me analizat që u bëjnë të tjerët.

Për më tepër, analizat e të dy palëve nuk ngjajnë me njëra-tjetrën dhe kjo, jo vetëm për shkak se ata të dy nuk ngjajnë me njëri-tjetrin, por sepse tani njëri është lart, ndërsa tjetri ka rënë poshtë; njëri e ka marrë pushtetin, kurse tjetri e ka lënë, duke bërë gjoja sikur e ka humbur.

Secili tani mendon për veten e vet, por asnjëherë mendimeve për veten nuk u ndahen mendimet për tjetrin. Ky, si proces, është krejtësisht i barabartë dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi i këtij ndryshimi. Pra, duke qenë në pozicione të kundërta, lidhen me njëri-tjetrin, si të kenë hipur në të njëjtin shilarës ku, ai që është lart nuk mund të ulet prej atij që është poshtë.

Se si ndodhi që një më i lehtë ta ngrejë lart një më të rëndë se vetja, këtu nuk ka ndonjë sekret: mjafton të jesh aq mendjelehtë në babëzinë tënde për pushtet sa, në këtë lojë kalamajsh, ta tërheqësh dërrasën e shilarësit më shumë nga ana jote. Tërhiq më shumë nga vetja, fito dy pëllëmbë dërrasë dhe humb të qenët lart(!)

Sidoqoftë kjo nuk është thjesht një lojë, ata të dy janë burra me tru, mendojnë edhe për gjëra të rëndësishme, mendojnë, të themi, me shkronja të mëdha, sidomos për KRIZËN që ia hedhin si top lecke njëri-tjetrit për peshqesh, me rastin e humbjes apo marrjes së pushtetit.

“Ku dreqin e gjeta kohën që tamam në këtë kohë të ngihem lart!” mendon ai që rri lart. Ky do ta ketë parë humnerën, u hodh nga karroca dhe m’i la mua frerët e këtyre hajvanëve të tërbuar!”

Kurse ai që rri poshtë, mendon: “Vërtet rashë, por nuk e theva qafen. I shkreti ky ç’ka për të hequr! Fundja vetë e deshi.

Kuptoje tani se pse quhet “pusht-et” pushteti? Mbaje me shëndet tani që e more. Ia pafsh hairin! Hëngsh kokën, inshallah! Bëj si të duash, ose mos bëj gjë hiç, njësoj është. Nga ky stan këtë bylmet ke për të marrë. Hahahaaa!”

Por tjetri nuk ka frikë. Ai është i guximshëm. Ai mbase nuk e di se e vetmja gjë që nuk ka frikë në këtë botë është vetë frika dhe se vetëm ajo nuk trembet as nga guximi më i guximshëm.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA