Taksat për të ardhurat personale

02/12/2013 00:00

Të gjithë ata që kanë të ardhura deri në 90 mijë lekë në muaj nga një
janari i vitit të ardhshëm do të paguajnë më pak taksa në shtet nga sa
paguajne tani.

Ndersa per ata qe i kane te ardhurat mujore mbi kete nivel, taksat do te rriten, duke shkruar deri ne 25% e vleres. Ketu perfshihen te ardhurave jo vetem nga paga mujore, por edhe nga qerate apo aktivitete te ndryshme. Ministria e Financave ben publike skemen e takses progresive qe do te aplikohet ne vitin 2014.

Ministria e Financave ka përcaktuar skemën përfundimtare të tatimit mbi të ardhurat personale, sipas sistemit progresiv. Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se taksa do të jetë me katër shkallë.

Sipas draftit, për ata individë që i kanë të ardhurat mujore deri në 30 mijë lekë, taksa mbetet zero ashtu si tani. Ndërsa për fashën e të ardhurave nga 30 mijë deri në 100 mijë lekë në muaj Tatimi mbi të Ardhurat do të bëhet 15 për qind. Për fashën e të ardhurave nga 100 deri në 150 mijë lekë, tatimi shkon 20 për qind, ndërsa ata që kanë një nivel më të lartë të ardhurash mujore se 150 mijë lekë, taksa bëhet 25 për qind.

Por si ndryshon barra për indvidët me taksën e re krahasuar me atë që ata paguajnë aktualisht? Pagat më të ulëta përfitojnë një ulje më të madhe të taksave, e cila vazhdon deri në nivelin e pagës 90 mijë lekë, ku barra barazohet. Për individët mbi këtë nivel të ardhurash taksa rritet, krahasuar me atë që paguajnë aktualisht. Por rritja bëhet edhe më e madhe për fashën e dytë, atë të pagave nga 100 deri në 150 mijë lekë në muaj. Sipas draftit, një individ me atë ardhura 150 mije lekë në muaj do të paguajë 5 mijë lekë në muaj Tatim mbi të Ardhurat më shumë se sa paguan deri më tani.

Ndërsa për nivelin e pagave mbi 150 mijë lekë rritja e barrës bëhet edhe më e fortë. Kështu për një individë me të ardhura 200 mijë lekë në muaj taksa rritet me 13 mijë lekë, ndërsa për ata me të ardhura 250 mijë lekë në muaj ajo rritet me 20 mijë lekë shtesë ose 200 dollarë më shumë në muaj.

Në fushatën elektorale mazhoranca e tanishme premtoi se do të ulë taksat për 96 për qind të qytetarëve. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave deri në fund të vitit 2012 numëroheshin rreth 35 mijë individë, që kanë një pagë të deklaruar mbi nivelin 90 mijë lekë në muaj, taksat e të cilëve do të rriten. Kjo është sa 8 për qind e totalit të të punësuarve. Por meqënëse tatimi zbatohet mbi totalin e të ardhurave pervec pages, pra përfshin dhe llojet e tjera të të ardhurave që individët mund të kenë nga burimet e tjera si dhënia e një prone me qira ose aktivitete të ndryshme, numri i atyre që preken nga rritja e taksës është më i lartë se kaq.

Nga ana tjetër skema e re e taksës dëmton individët dhe bizneset korrekte, ata të cilët kanë deklaruar pagat reale tek tatimet dhe favorizon evazorët që fshehin të ardhurat e tyre dhe deklarojnë pagat e ulëta, një fenomen gjerësisht i përhapur në tregun shqiptar të punës. Ekspertët thonë se pikërisht për shkak të këtij efekti, taksa progresive e rrit edhe më shumë presionin tek individët për të bërë evazion duke i fshehur të ardhurat e tyre.   

Top Channel