Skema e re e subvencioneve

02/12/2013 00:00

Fermerët kundërshtojnë skemën e re të propozuar nga qeveria për subvencionim me para në dorë për produktin e gatshëm.

“Në qoftë se do të jetë kjo me prodhim, atëherë mund të them që nuk është dashamirëse për t’u dhënë fermerëve asnjë gjë. Ne fermerin e kemi të paregjistruar, nuk ka numër llogarie, nuk ka numër nipti dhe nuk mundet të përfitojë asnjë gjë, atëherë kjo do të jetë thjesht një demagogji”, deklaroi Enver Ferizaj nga Këshilli Shqiptar i Agrobiznesit.

Grantet që jepen për fermerët në bujqësi janë rreth 10 milionë euro, shifër që sipas Këshillit Shqiptar të Agrobiznesit është shumë e ulët krahasuar me vendet e rajonit.

Në prag të miratimit të buxhetit, fermerët kërkojnë 10-fishim të këtyre fondeve. Po ashtu, ata kërkojnë që nafta pa akcizë, e premtuar nga qeveria, të subvencionohet me para në dorë.

“Kemi kërkuar që nafta pa akcizë të jepet me para, duke hapur numër llogarie, çdo fermer sipas sipërfaqes që ka, të jepet në lekë dhe jo si më parë me tollona, sepse kjo kosto shumë të lartë dhe njëkohësisht ka edhe abuzime”, nënvizoi Ferizaj.

Për të nxitur kooperimin bujqësor, fermerët kërkojnë financimin e çdo kooperative me rreth 3 deri në 5 milionë lekë.

Top Channel