Kroatët i thanë në masë jo martesave gay, në një referendum të mbajtur të dielën në të gjithë vendin.

Dy të tretat e votuesve aprovuan ndryshimet në Kushtetutën Kroate, për të përcaktuar martesën shprehimisht si një lidhje midis mashkullit dhe femrës.

Një zëdhënës i qeverisë theksoi se ligjvënësve tashmë iu mbetet vetëm të aplikojnë ndryshimet në Kushtetutë, në përputhje me vullnetin e shumicës.

Qindra mbështetës dhe anëtarë të komunitetit LBGT protestuan të dielën dhe të hënën në kryeqytet ndaj këtyre ndryshimeve.

Referendumi u bë i detyrueshëm pasi disa grupe katolike arritën të grumbullonin 700 mijë firma, në një peticion drejtuar qeverisë.

Pyetja në letrën e votimit ishte: A pajtoheni me idenë e martesës, si bashkim i gruas dhe burrit?

Kushtetuta aktuale nuk i ndalon martesat gay në Kroaci. Gati 90% e popullsisë së vendit me 4,2 milionë banorë, që në muajin Korrik u bë anëtari i 28-të i Bashkimit Europian e deklarojnë veten katolikë.

Gjatë paradës së parë të homoseksualëve, të mbajtur në Zagreb në 2002, me dhjetëra pjesëmarrës u rrahën nga ekstremistët, por gjërat kanë nisur ngadalë të ndryshojnë, sidomos pas afrimit me BE-në dhe, tashmë evente të tilla mbahen rregullisht, edhe pse nën një prani të rreptë policore.

Duke mbështetur rezultatin e referendumit, kardinali i Kishës Katolike, Josip Bozaniç, deklaroi: “Martesa është i vetmi bashkim që mundëson riprodhimin. Ky është ndryshimi thelbësor midis martesave dhe mënyrave të tjera se si dy njerëz mund të qëndrojnë bashkë”.

Nga ana e tyre, përfaqësues të komunitetit LBGT theksuan se “nëpërmjet këtij referendumi, u hodhën themelet e trajtimit të një minoriteti si qytetarë të klasit të dytë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA