Dy anëtarë të qeverisë belge ishin të pranishëm, përkrah përfaqësuesve
të ambasadës së Shqipërisë dhe Kosovës në Bruksel, në përurimin e
krijimit të qendrës së parë kulturore, ‘Vatra’, nga Shoqata ‘Albabel’,
që merret kryesisht me mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e komunitetit
shqiptar.

“Të jeni krenarë për rrënjët tuaja”, ishte mesazhi që përcolli zëvendëskryeministrja belge Laurette Onkelinx.

Ndërsa për ambasadorin Ilir Tepelena, “kjo risi tregon se ka një komunitet të angazhuar, të integruar e dinamik, që jo vetëm kultivon traditat e trashëgiminë kulturore, por dhe është i hapur për t’i ndarë ato me komunitetet e tjera”, duke siguruar mbështetjen morale të shtetit shqiptar për këto nisma.

Ndërsa financimet synohen nga shteti belg për më shumë hapësirë, ku shqiptarët e ardhur në Bruksel nga vende të ndryshme të Ballkanit, të mund të bisedojnë e shfaqin projekte për kulturën e tyre,

“Ne i presim subvencionet nga shteti belg, sepse ne tani jemi një komunitet që përbëhet nga 60 mijë veta dhe një e treta e komunitetit përqëndrohet në Bruksel. Ndaj presim nga autoritetet e Brukselit që ata të na japin subvencionet që ne të promovojmë, ashtu si të tjerët, kulturën tone”, thotë Ahmet Gjanaj, presidenti i ‘Albabel’.

“Ky komunitet këtu ekziston prej kohësh por vlerësoj se ne nuk ia kemi hapur krahët mjaftueshëm në mënyrë që kjo kulturë të dëgjohet, të shikohet e të jetohet këtu, ndaj jam veçanërisht e emocionuar që sot ka një qëndër për kulturën dhe shkëmbimet kulturore”, thotë Onkelinx.

Top Channel: Si zëvendëskryeministre, cili do të jetë qëndrimi i Belgjikës për statusin kandidat të Shqipërisë, meqënëse vendimi pritet të merret në Dhjetor nga Këshilli i BE-së ?

Laurette Onkelinx: Për PS është e thjeshtë sepse është pro hapjes dhe jo bllokimit. Ne dëshirojmë që Europa të zgjerohet sa më shumë me të gjitha vendet që kërkojnë anëtarësim dhe që përpiqen të respektojnë bashkësinë e normave europiane.

Qeveria federale në Belgjikë përbëhet nga koalicioni mes 6 partive politike, falë marrëveshjes së arritur 589 ditë pas zgjedhjeve të 2010, duke shënuar rekord të ri botëror.

Pergatiti ARTA TOZAJ

Top Channel