Itali, shpëtohen 120 klandestinë

02/12/2013 15:15

Roja Bregdetare Italiane shpëtoi një peshkarexhë të tejmbushur me emigrantë pranë brigjeve të Kalabrisë.

120 emigrantë, kryesisht sirianë ndodheshin në mjetin lundrues në vështirësi, pasi ishte përballur me një det të trazuar për disa ditë me radhë.

Dallgët dhe era e fuqishme vonoi me 24 orë mbërritjen e ndihmës, pasi helikopterët dhe mjetet lundruese të autoriteteve italiane e kishin të pamundur të mbërrinin në zonë.

Mjeti u pikas gjatë të dielës, pasi një shtetas egjiptian në bordin e anijes realizoi një telefonatë satelitore tek Roja Bregdetare.

Në Tetor, disa qindra emigrantë humbën jetën në tentativë për të mbërritur në brigjet italiane nga Afrika Veriore, pasi dy mjete lundruese të tejmbushura me klandestinë u fundosën.

Gjendja e paqendrueshme politike në Afrikën e Veriut dhe lufta civile në Siri kanë shënuar një bum klandestinësh drejt brigjeve italiane.

Mbi 35 mijë emigrantë kanë mbërritur në Itali nëpërmjet detit gjatë vitit, nga më pak se 10 mijë që kishin mbërritur gjatë 2012-s.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA