Ka fituar në Londër çmimin e parë në botë për projektin e tij të arredimit të brendshëm të një lokali të muzikës Jazz në Prishtinë, arkitekti me origjinë nga Kosova, Përparim Rama.
Projekti i tij për “Hammam Jazz Bar” në Kosovë konkuroi për çmimin prestigjioz me afro 1,300 projekte nga të gjitha kontinentet. Në konkurimin final, projekti shqiptar konkuroi me një projekt francez, një nga Islanda dhe një nga Belgjika.
Çmimi “World Interior News 2013” i është dhënë arkitektit shqiptar, Përparim Rama, gjatë një ceremonie në Galerinë e Artit me famë botërore “Saatchi” në Londër. Kryetari i jurisë, Andrew Graham-Dixon, historian i artit britanik dhe publicist, tha se “Projekti Hammam ishte fitues i padiskutueshem”.
I kontaktuar nga Top-Channel, Përparim Rama tha se “ne jemi shumë krenar, që kemi fituar këtë çmim prestigjioz! Reagimi në Prishtinë ka qenë madhështor. – Sipas tij, – arritja më e lartë e këtij çmimi është se i bën të gjithë shqiptarët të ndihen krenarë, e posaçërisht ata të cilët janë marrë drejtpërdrejt me transformimin e asaj hapësire të bodrumit në interierin e barit më të mirë në botë”.
Arktiketi i njohur shqiptar, Përparim Rama, është themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i studios projektuese “4M Group” në Londër. Rama ka mbaruar studimet për arkitekturë në “London South Bank University”, në vitin 1998, si dhe studime të tjera dhe master në arkitekturë e dizajn kompjuterik, në Londër.
Arkitekti shqiptar ka qenë konsulent për Lojrat Olimpike në Londër dhe udhëheqës projekti për planin urban rregullues të qytetit të Londrës. Në Bienalen e Venecias të vitit të kaluar, Përparim Rama përfaqësoi Kosovën.
Top Channel