
Me gjithë rezolutën e Parlamentit Europian dhe mbështetjen e
eurodeputetëve, çështja e statusit nuk është e përfunduar. Eurodeputetët
mendojnë se do të duhet punë për të bindur vendet anëtare të aprovojnë.
Duke iu referuar luftës kundër korrupsionit raportuesi për Shqipërinë Nikola Vuljaniç iu referua denoncimit të ‘Fiks Fare’ për korrupsionin në drejtësi duke thënë se shpresoj që kjo video të pasohet nga arrestime.
Top Channel: Falë raportit tuaj z. Vuljanoviç, Parlamenti Europian do të jetë në gjëndje të dërgojë në kohë mesazhin e tij ndaj vendeve anëtare në Këshill. Cilat janë shqetësimet tuaja kryesore?
Nikola Vuljaniç, raportues për Shqipërinë në PE: Unë bëra më të mirën e mundshme që ky raport të vinte përpara opinionit të Këshillit të Dhjetorit, i cili shpresoj të jetë i suksesshëm. Personalisht, përsa i takon shqetësimeve, me çfarë pashë atje (në Tiranë) e me çfarë kam lexuar duke bërë detyrën time, jam i shqetësuar për mardhëniet e brendshme në Shqipëri. E jo vetëm në jetën politike. Tek gadishmëria për ta dëgjuar tjetrin, për të biseduar me atë, e për të gjetur konsensus, dhe jo akuza ndaj tij, qoftë kjo në jetën politike, apo në shoqëri e diku tjetër. Kjo është ajo që mua më duket bezdisëse dhe e ngrita zërin për këtë kur isha atje ndaj të dy palëve, qeverisë dhe opozitës. Shpresoj që ky mesazh të jetë marrë. Kur ne shkojmë në vizita të tilla, nga Parlamenti Europian, nga Bashkimi Europian, për të parë se çfarë po ndodh në vend, ne nuk jemi të interesuar në të vërtetë që të dëgjojmë akuzat se kush e ka fajin e për çfarë. Ajo që ne duam të dëgjojmë është çfarë do bëjnë ata sëbashku për ta bërë këtë vend më të mirë e për të kryer reformat. Ky është shqetësimi im parësor që e ngre në rezolutë.
Top Channel: Nga qeveria shqiptare, topi tashmë është në anën e BEsë. Z. Kukan, a është ende e vështirë të jesh optimist për Shqipërinë?
Eduard Kukan, Kreu i Delegacionit për Ballkanin në PE: Jo. Ne jemi pozitiv. Mendoj se raporti, rezoluta e përgatitur nga z. Vuljaniç është pozitive, pa dyshim. Nuk dua të shfaq aftësitë e mia diplomatike, por dua të them se z.Vuljaniç është një freskim i vërtetë për punën tonë, sepse si raportues i ri po bën një punë të mrekullueshme. Kur nevojitet, lavdërimet duhet të shprehen. Ai e përgatiti në kohë raportin dhe është mjaft serioz. E ajo që sapo tha është mjaft e mirë sepse ne që jemi marrë me Shqipërinë prej një kohe më të gjatë, tashmë jemi mësuar me këtë lloj gjuhe në diskutimet politike me të cilat përballemi në vend dhe ai na kujtoi më themeloren. Është mirë që ai u dëshmon politikanëve tuaj se është i befasuar në mënyrë të papëlqyeshme për ato gjëra që ai sheh atje. Për mendimin tim, zhvillimi i Shqipërisë është pozitiv. Po shfaqet një kulturë e re politike, duke folur nga përvoja ime, por kjo duhet konsoliduar. Siç e kam thënë dhe më parë, na duhen më shumë dëshmi se kjo situatë është e qëndrueshme. Ka disa sinjale e të gjithë ne po i mirëpresim ato. Diskutimet në Komitetin e Jashtëm treguan se Parlamenti Europian dëshiron me të vërtetë të ndihmojë vendin për të ecur përpara me statusin kandidat. Por, është e domosdoshme, për shkak të eksperiencës së mëparshme, që të ndërtohen gjurmë provash mbi faktin se egziston në vend një situatë e re politike pozitive dhe e qëndrueshme. Nuk është e vështirë tani që të jemi pozitiv për Shqipërinë dhe ne jemi pozitiv.
Top Channel: Ka një rekomandim pozitiv nga Komisioni, një raport pozitiv nga Parlamenti Europian, dhe komente shtesë nga Komisioni Europian tek vendet anëtare, por disa prej tyre ende duken hezituese, përfshirë vendin tuaj z. Fleckenstein, Gjermaninë. Pse?
Knut Fleckenstein, Eurodeputet gjerman S&D: Së pari dua të kthehem tek ajo çfarë tha zoti Kukan, pasi mendoj se është shumë e rëndësishme dhe qytetarët shqipëtarë duhet ta dinë këtë, që Parlamenti Europian ka vërtet një qëndrim të përbashkët që kësaj here po, Shqipëria të marrë statusin kandidat,si Socialistët, PPE e gjithë të tjerët janë bashkë. E ky është një lajm i mirë për Shqipërinë. Po ju keni të drejtë ka disa vende ende hezituese dhe druaj se vendi im, Gjermania, është mes tyre. Nuk jam i sigurtë pse, sepse nuk ka arsye për të qënë hezitues. Por, ndoshta tani që patëm zgjedhje në Gjermani e po krijojmë qeveri të re, se vetëm mbrëmë u arrit marrveshje..
Top Channel: Partia juaj në fakt do të jetë në qeverinë e koalicionit me demokristianët. A besoni se kjo do të ndryshojë politikën e Gjermanisë ndaj zgjerimit, në veçanti ndaj Shqipërisë?
Fleckenstein: Shpresoj kështu.., për shtytje shtesë në drejtimin e duhur e jam i bindur se sëbashku,socialdemokratët e kristiandemokratët, do të vazhdojnë politikën e zgjerimit. Ndonjëherë ata janë hezitues e jo fort të guximshëm, sepse siç shihet në vendet tona, njërëzit diskutojnë për zgjerimin disi më ndryshe nga ne politikanët. Ata i friksohen ardhjes së një vendi të ri anëtar dhe kostos së mundshme të madhe shtesë. E ne duhet t’u shpjegojmë se zgjerimi nuk është i mirë vetëm për ato vende të reja që futen, por edhe për ne vetë që jemi brenda tashmë.
Top Channel: Megjithë rolin në rritje gjatë kësaj përiudhe të Parlamentit Europian, çfarë impakti mendoni se do të ketë kjo rezolutë tek vendet anëtare në Këshill? Si do ta konsiderojnë ata?
Vuljaniç: Unë mendoj se ata do ta pranojnë sugjerimin e Parlamentit, dhe të Komisionit po ashtu. Vërehet qartësisht përmirësimi, jo vetëm në zgjedhjen e parlamentit të ri, por në gjëndjen e përgjithshme në vend. Refuzimi i shkatërrimit të armëve kimike as që mund të imagjinohej 10 vjetë më parë. Protestat rrugëve për çështje mjedisore nuk mund të imagjinoheshin para ca kohësh. Diçka ka ndodhur dhe njerëzve në vendet perëndimore, sidomos në ato që kanë dyshime, ju duhet thënë qartë se Shqipëria nuk hyn, pa dyshim që nuk hyn, nga nesër në BE. Është statusi kandidat. E kjo është lëvizje për të kontrolluar më lehtë vendin dhe sigurisht që negociatat do të zgjasin për shumë kohë.
Top Channel: Nuk mendoj se zoti Kukan bie dakord plotësisht me ju..
Kukan: Unë nuk do të thoja me aq lehtësi se vendet anëtare do pajtohen me rezolutën, për shkak të përvojës. Komisioni rekomandoi e Parlamenti mbështeti 5 vjetë radhazi Maqedoninë, e Këshilli gjithnjë vendosi ndryshe. Por, mendoj se rezoluta që do të miratohet do të luajë një rol të rëndësishëm për Këshillin, përpara marrjes së vendimit në Dhjetor. Thjeshtë, ata nuk mund ta injorojnë atë. Këshilli vendos. Komisioni shkruan diçka, ne rekomandojmë dhe Këshilli vendos, krerët e shteteve dhe qeverive. Ata nuk thonë “po”, gjithmonë, për çfarëdo sugjerimi që ne bëjmë, por ju keni të drejtë se roli i parlamentit po rritet dhe ata duhet të mësohen me këtë. Kjo merr kohë. Gjithnjë e më shumë ata duhet të marrin në konsideratë atë që Parlamenti u dërgon, sepse me proçedurën e bashkëvendim-marrjes ka shumë çështje që s’mund të kalojnë pa pëlqimin e parlamentit e qeverive. Ndaj nuk do të thoja se do të kalonte automatikisht nga Këshilli. Por, ajo luan një rol shumë të rëndësishëm aty. Ndërsa me pyetjen ndaj zotit Flekenshtajn, i cili dha një përgjigje të guximshme, se politikanët duhet të jenë më të guximshëm, edhe unë pajtohem me të. Mendoj se ne po bëjmë obligimin tonë për të mbështetur Shqipërinë dhe sigurisht, politikanët në qeveritë e vendeve tona marrin vendimet e tyre, por ne duhet të ndikojmë sa më shumë të jetë e mundur tek ata.
Fleckenstein: Kjo nuk mbaron veç me këtë rezolutë. Për shembull, në rastin tim, më duhet të shkoj në Berlin. Jo vetëm unë, por dhe disa kolegë të partive të tjera. Shkojmë për të bindur, nëse nevojitet, qeverinë gjermane. Pra, ne do votojmë këtë rezolutë e do të bëjmë maksimumin me qeveritë në shtëpitë tona për të pasur një rezultat të mirë në Dhjetor.
Top Channel: Lufta kundër korrupsionit është kushti kryesor për integrimin e Shqipërisë në BE. Për të dhënë gjurmë provash siç kërkohet nga Komisioni dhe vendet anëtare, nevojitet kohë. E kjo kohë nuk mjafton për statusin kandidat, deri në Dhjetor. Nëse s’ka vendim pozitiv nga Këshilli, a druheni se mund të ketë një impakt negativ për reformat brenda vendit?
Fleckenstein: Sigurisht. Ju s’mund të dëshmoni që korrupsioni u ul në kaq pak kohë. Por, ju mund të provoni se merrni masat e duhura për ta ndaluar atë, apo bëni një menaxhim më të mirë. Kjo është ajo që ne duam të shohim.
Kukan: Pajtohem. Nuk është e mundur që të bëhet gjithçka në kaq pak kohë. Por kjo kohë e shkurtër është për të treguar prirjen, tendencën, se ju po veproni, se ligjet miratohen. Ju nuk duhet të vendosni qëllime ambicioze për të bërë gjithçka në 2 muaj, por faktet se qeveria po merr masa e se ato zbatohen, janë më realiste sesa të thuash “e luftuam korrupsionin”. Korrupsioni është çështje shumë e vështirë dhe shumë e komplikuar, e jo vetëm në Shqipëri. Ndaj nga çfarë tha zoti Flekenshtajn, dua të shtoj vetëm se duhet treguar që kjo qeveri po merret seriozisht me të, se ka nisur t’i bëjë gjërat, e ka nisur të dorëzojë mbi to.
Vuljaniç: Kryesorja është që të shihet se ka një prirje, një vullnet. Një tjetër pikë kyçe është klikimi mendor në kokën e popullit në përgjithësi, i cili duhet të thotë se korrupsioni është i keq. E njoh mentalitetin e Ballkanit. Korrupsioni është mënyra për të gjetur rrugën tënde në shoqëri. Për të çarë e për të arritur sukses në jetë, përmes korrupsionit. Tani, ky klikim i mentalitetit se kjo gjë është e keqe, është një çështje vendimtare. Kjo është pika për të arrestuar një ministër, një prokuror të përgjithshëm, një kryeministër.
Top Channel: E ky ishte momenti i kthesës për Kroacinë
Vuljaniç: Në Kroaci, ky klikim ishte rezultat i një pune të qëndrueshme në disa vite, ose më mirë të them i gati 10 viteve presion nga Bashkimi Europian. Ky klik është i rëndësishëm. Tani është një punë normale të arrestosh këdo që është i korruptuar.
Kukan: Dhe duhet të jetë normale.
Fleckenstein: Por kjo ka të bëjë gjithashtu me shoqërinë civile, dhe ka të bëjë me paga të drejta, në mënyrë që të mos shohësh vërdallë për të ardhura të tjera.
Kukan: Është e mundur që të bindni Këshillin, vendet anëtare se ju keni nisur të bëni ca gjëra, por ndoshta më e vështirë do të jetë që të bindni popullin tuaj se qeveria është serioze e po zbaton. Ndaj mendoj se proçesi është i gjatë e do të vazhdojë.
Top Channel: Siç thuhet në raportin tuaj dhe atë të Komisionit, korrupsioni dhe pandëshkueshmëria për krimet janë të gjithëpërhapura dhe mbetet problem serioz korrupsioni në gjyqësor. A jeni në dijeni të videos së transmetuar mbrëmë nga Fiks Fare?
Vuljaniç: E pash videon dhe lexova lajmin, e mendoj se kjo është rruga e duhur për të vepruar mbi këto gjëra. Një ndihmës i prokurorit të përgjithshëm u filmua ndërsa kërkonte rryshfet, apo diçka e ngjashme, për të liruar disa njerëz, jashtë burgut, dhe ai u hoq nga detyra brenda disa minutave. Kështu thuhet në artikullin që lexova, pak minuta pas transmetimit.
Top Channel: Dhe një hetim vijon për gjyqëtarë të përfshirë…
Vuljaniç: Shpresoj vërtet që të arrestohen. Kjo nuk thuhet në artikull. Por, kur ishim atje, pati një aksion policie për kumarin e paligjshëm e mijra lojra fati në Tirane u mbyllën. Por askush nuk u gjet në këto vende, sepse ishin informuar paraprakisht nga policët. E unë pyeta a u arrestuan këta policë, e të gjithë u tronditën “si mund të arrestosh policët?!”. Fare thjeshtë, u mbyll derën.
Kukan: Me një klik.
Fleckenstein: Po, por ky klik na duhet edhe në Hamburg ndonjëherë.
Top Channel: Gjakmarrja është një problem që vijon prej disa vitesh në Shqipëri, por përmendet në këtë rezolutë falë konsensusit mes dy grupeve kryesore. Pse ky konsensus papritur mbi këtë çështje e ndaj kujt drejtohet ky amendament mbi gjakmarrjen?
Vuljaniç: I drejtohet qeverisë së pari, por dhe OJQve e shoqërisë . Në Shqipëri kur pyeta më thanë se flitet për 3000 familje që fshihen nga gjakmarrja. Shumë numër i lartë, e duhet ndaluar.
Top Channel: Pse ky konsensus vetëm tani mes PPE-së e socialdemokratëve mbi këtë çështje dhe jo në raportet e mëparshme të parlamentit?
Fleckenstein: Nuk e di pse s’ka qënë më parë në raporte, por duhet të shpjegojmë se në sistemet tona në BE, pushteti vjen nga shteti dhe vetëm nga shteti. Ky është një nga parimet demokratike. Ndoshta duhet ta përmendim se njërëzit duhet ta dinë se si janë rregullat tona në BE. Mbase njerëzit në Shqipëri duan pak kohë për të njohur këtë, por duhet të insistojmë.
Vuljaniç: Janë rregullat e lojës. Nëse doni t’i bashkoheni klubit, duhet të respektoni rregullat.
Kukan: Sinqerisht nuk e di pse nuk është përfshirë më parë. Ndaj do mjaftohem se është mirë që ne e përfshimë atë tani. Mos na kritiko për atë që e bëmë siç duhet tani.
Top Channel: Zoti Kukan, nuk pati amendament nga ju kësaj radhe për 21 Janarin. 4 veta u vranë, siç e dini në protestën e dy viteve më parë. Pati gjykim, por asnjë fajtor për humbjen e jetëve, njësoj si në rastin e shpërthimit të 2009 në Gërdec. Supozoj se mbetët i kënaqur nga gjykimi?
Kukan: Jo, jo. Nuk jam i kënaqur me gjykimin. Mbaj të njëjtin qëndrim mbi këtë çështje dhe siç e kam thënë më parë, derisa kjo çështje të hetohet në mënyrën e duhur dhe objektive, dhe që të merren me ata që rezultojnë përgjegjës për këtë, deri atëherë në skenën politike shqipëtare do të ketë një mungesë e nuk do të mund të thuhet se gjithçka shkon mirë. Pse nuk e futa këtë amendament, nuk e di, por mbaj të njëjtin pozicion dhe do jua dëshmoj juve duke insistuar në të ardhmen për këtë.
Top Channel: Duke marrë parasysh dhe shqetësimet e tjera, si depolitizimi i administratës apo liria e medias, për të cilën flitet në 6 amendamente mbi influencën politike ndaj saj apo kushtet e punës së gazetarëve, ju mendoni pozitivisht për marrjen e statusin kandidat këtë dhjetor, po për hapjen e negociatave?
Vuljaniç: Këto janë dy çështje të ndryshme. Shqipëria duhet të marrë statusin kandidat pikërisht edhe për këto që sapo përmendet. Vendi do të vihet nën mbikqyrje, nën mikroskop, shumë më tepër se përpara e këto duhet të rregullohen nga presioni konstant. Kështu funksionon. Pozicioni i medias në Shqipëri është vërtet për të qeshur . Pashë televizionin çdo natë kur isha atje, edhe pse nuk e kuptoj gjuhën. Thjeshtë për të parë se si funksionon. Ka shumë transmetues privat të pavarur, që më dukeshin plotësisht profesional, si top channel e të tjerë. Nga ana tjetër ka një televizion publik të varfër, çfarë është e gabuar. Vendi duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje mediave publike sepse ato janë burimi kryesor e parësor i informimit për qytetarët.
Kukan: Unë pres vërtet që vendi të marrë statusin kandidat. Shpresoj shumë që vendet hezituese anëtare do të binden për ta dhënë atë. Mendoj se Shqipëria e meriton me të vërtetë. Madje mendoj se nëse kjo nuk do të ndodhë tani, Shqipëria do të dështonte e do të kishte efekte negative. Shqipëria ka humbur dy vjetë. Dy vjetë kohë e humbur për shkak të situatës së brendshme. E nuk duhet humbur edhe një vit shtesë, sepse Serbia e mori atë. Këshilli i radhës është në Mars dhe gjurmët e provave e rezultatet mund të jenë më bindëse. Mendoj se statusi kandidat është inkurajim për vendin se është pranë negociatave për anëtarësim. Por, data për çeljen e negociatave është një çështje tjetër . Me ndershmëri të plotë, nuk do ishte realiste nëse njerëzit presin datën për negociata. Pas marrjes së statusit kandidat, nis egzaminimi, ku i gjithë vendi kalon në proçes vlerësimi për të gjitha fushat, e më pas mund të përcaktohet data për nisjen e negociatave. Kështu që për statusin kandidat, po, them se është i domosdoshëm. Por, Shqipëria do të duhet të presë ca për të marrë një datë për hapjen e negociatave.
Top Channel: E ju nuk jeni i shqetësuar për administratën apo median?
Kukan: Me statusin kandidat, ne mund t’i bëjmë presion qeverisë tuaj për lirinë e medias shumë më tepër se tani.
Fleckenstein: Nëse gjërat do të shkonin mirë, do t’ju ftonim për anëtarësim që të hënën. Por, po flasim për maratonë e jo për sprint. Nuk duhet të përmendim veç fushat ku ka ende shumë probleme. Isha në Tiranë para pak javësh e munda të shoh zhvillime pozitive, përfshirë në shoqërinë civile, kur isha me Avokatin e Popullit apo Ministrin për çështjet sociale. Mendoj se hap pas hapi, ka një zhvillim të mirë, e pa e marrë mësysh, të shpresojmë se kjo do vazhdojë.
Kukan: Meqë ra fjala, ju keni një Avokat Populli shumë të mirë, që bën një punë shumë të mirë.
Top Channel: Por raportet e tij nuk përfshihen në debatet parlamentare
Vuljaniç: Por do të përfshihen.
Kukan: Ai po e bën punën e tij.
Top Channel: Faleminderit që ndatë me ne mendimet tuaja.
Kukan: Faleminderit që na ftuat.
Përgatiti: ARTA TOZAJ
Top Channel