Natën e Bardhë, kryeministri Edi Rama e ka shfrytëzuar për të bërë të njohur një ide të tijën dhe të qeverisë që drejton, për artin dhe kulturën vendase.

Në Pallatin e Brigadave, ai ka pritur dhjetra emra të njohur artistësh shqiptarë në botë, muzikantë, aktorë, balerinë, piktorë e të tjerë artistë që, përmes punës së tyre, kanë spikatur për audiencat ndërkombëtare.

Por, për kreun e qeverisë, edhe nën cilësinë e njeriut që vjen nga fusha e artit, artistët shqiptarë duhet të jenë më shumë prezent në hapësirën kulturore vendase.

I vetëdijshëm se, në kushtet ekonomike dhe shoqërore shqiptare, shumëkujt mund t’i duket se nuk ka shumë vend për artin, kreu i qeverisë nuk ndan të njëjtën bindje.

Magjia e kulturës dhe e artit, tha Rama, është e tillë, që ndikon në transformimin e shoqërisë, duke sjellë shembullin se si Muzeu Bilbao, në rajonin bask në Spanjë, mundi të ndryshojë jetën e banorëve atje, duke u njohur më tej botërisht si “efekti Bilbao”.

Për të krijuar të njëjtin efekt, përmes artit këtu, Rama i bëri apel çdo artisti shqiptar t’i përgjigjet kësaj nevoje të vendit.

“Ai ndryshim që duam të sjellim, në botën tonë të vogël të kulturës dhe të artit, është i mundur dhe mundet vetëm nëse e bëjmë të gjithë së bashku. Shqipëria nuk ka mungesë artistësh të mëdhenj. Me kaq sa jeni ju këtu, një vend tjetër do të thoshte se na dalin e na teprojnë. Ne kemi edhe të tjerë, për përmasën tonë. Ne kemi problem të krijimit të sinergjisë, nuk po them bashkim forcash, sepse duket sikur po bëjmë një ftesë për zbor, por bashkimit të dëshirave dhe mundësive për t’i dhënë një jetë të re botës sonë të vogël kulturore”, u shpreh kryeministri Rama para artistëve.

Edukimin me heronjtë e ditës ia kemi detyrim edhe brezit të ri, tha Rama, që padrejtësisht po njohin si të tillë politikanët, në një kohë që heronjtë e vërtetë janë shqiptarët kudo në botë, që kanë një histori suksesi, por që fatkeqësisht pak ose aspak të njohur në vendin e tyre.

“Ne do të jemi gjithmonë këtu, të gatshëm për t’iu mirëpritur në çdo ide e nismë, dhe po ashtu do të këmbëngulim që t’iu nxisim, që të mirëprisni ndonjë ide apo nismë, që mund t’iu vijë prej nesh”, shtoi më tej Edi Rama.

“Si mundem të mos ëndërroj, që kulturën shqiptare ta çoj edhe më tej. Vendi po i hap krahët dhe ne mund të kthehemi një ditë, të punojmë të lumtur këtu”, deklaroi Luli Bitri, aktore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA