Nëse disa vite më parë mësuesi nuk gjykohej për shkuljen e veshit apo ngritjen e dorës ndaj nxënësit, sot edhe një e bërtitur ndaj fëmijës konsiderohet si dhunë psikologjike.

Sipas një studimi të publikuar së fundmi nga UNICEF referuar dhunës në shkolla, në sistemin parauniversitar shqiptar e bërtitura zë vendin e parë si mënyra më e aplikuar e dhunës ndaj nxënësve, e ndjekur nga shkulja e veshit apo ofendimet. Studimi më pas rendit goditjet dhe epitetet fyese që cënojnë personalitetin e nxënësve.

As nxënësit më të vegjël nuk i kanë shpëtuar dhunës fizike apo psikologjike. Nga të dhënat ata pohojnë se për zhurmën në klasë ndëshkohen me të bërtitura dhe shkulje veshi. Por, një pjesë e prindërve e shohin të nevojshme dhunën fizike dhe psikologjike ndaj fëmijëve në shkolla, pasi sipas tyre kjo e fundit u shërben për edukim.

Studimi vë në dukje se çdo veprim ndaj nxënësit, ngitja e zërit, dorës, epitete fyese apo nofka janë forma dhune dhe si e tillë nuk duhen toleruar. Gjatë hulumtimit të kryer nga UNICEF në 550 shkolla në qytete dhe fshatra, rezultoi se nxënësit meshkuj janë më të dhunuar nga mësuesit. Niveli më i ulët i dhunës është konstatuar në shkollat e Korçës dhe Librazhdit, ndërsa mësuesit e Lezhës, Vlorës dhe Tiranës janë më të dhunshmit me nxënësit.

Pas publikimit të të dhënave, Ministria e Arsimit deklaroi se fenomeni duhet të marrë fund në mënyrë që brezi i ri të rritet shëndetshëm.

Nora Malaj, zv/ministre e Arsimit, deklaroi në studion e “Pasdite në Top Channel” se shqiptarët duhet të mësohen me denoncimin e dhunës nëpër shkolla.

“Shqiptarët duhet të bëhen një shoqëri aktive duke denoncuar dhunën në shkolla. Që në momentin që është krijuar shkolla e parë shqipe, ky institucion shihet si qendër edukimi në radhë të parë. Dhuna është problem kudo, jo vetëm në Shqipëri, por shoqëria shqiptare nuk duhet ta shohë si normale shkuljen e veshit apo tërheqjen e basetave nga ana e mësuesve”, theksoi Malaj.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta