
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga LDK-ja, Isa Mustafa ka
prezantuar programin për zhvillimin ekonomik dhe punësim në Komunën e
Prishtinës.
Ai tha se Komuna ka bashkëpunuar me institucione të ndryshme financiare nga vendi dhe ndërkombëtare me qëllim nxitjen e bashkëpunimit institucional dhe atij ekonomik.
“Kemi bashkëpunuar me biznese me Oden Ekonomike për të trajtuar çështjen e kërkesave nga kompanitë ndërtimore në mënyrë që të thjeshtësohet lëshimi i lejeve të ndërtimit, dhe të mundësohet që këto leje te ipen me shpejt, natyrisht duke i plotësuar kushtet. Në Komunën e Prishtinës, janë ndërtuar 1.6 milion metra katror hapësira banesore ose hapësira të ndryshme për biznes, dhe që kosto e ndërtimit të këtyre hapësirave është 730 milionë euro, ndërkaq, vlera e tregut të këtyre hapësirave llogarite me çmimet e tregut nëpër zonat e ndryshme të qytetit ku gati arrin shumën mbi 1.6 miliardë”, tha Mustafa.
Mustafa tha se gjatë qeverisjes së tij ka investuar deri në 70 milionë euro për t’u zhvilluar sektorët e bujqësisë, blegtorisë pemëtarisë, perimtarisë, bletarisë.
Rivali i Mustafës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, u bëri thirrje qytetarëve të Prishtinës që me 1 dhjetor të zgjedhin, sic u shpreh ai, rrugën e ndryshimit, e jo atë të njejtën.
“Mos votoni për hatër të dikujt dhe as për inat të dikujt, votoni për të mirën tuaj, votoni për atë që mendoni që do ta përmirësojë jetën në familjen tuaj, për juve, për lagjen e juaj për komunën tuaj. Vetëm atëherë do ta kemi ndryshimin e vërtetë. Neve nuk na duhet vetëm një votë, ne na duhet mbështetja e vazhdueshme për ta bërë ndryshimin e madh në komunën tonë”, tha Ahmeti.
Ahmeti prezantoi 12 zotimet e tij për për komunën e Prishtinës. Ndër të tjera Ahmeti u zotua për furnizim më ujë, cerdhe me kosoto të përballueshme, arsim në shërbim të zhvillimit, rregullim të trafikut, shëndet në shërbim të zhvillimit etj.
Me tone me te ashpra po vijon kjo fushatë për balotazhin në qytete te tjera të Kosovës. Partia Demokratike e Kosoves ne Ferizaj e Viti ndersa AAK ne Suhareke e Gjakovë.
Në Mitrovicë ku AKR garon përballë PDK, kryetari Behxhet Pacolli deklaroi se ka ardhur koha kur duhet bërë ndryshime. “Xhemjs Rubini, miku i madh i Kosovës, na la një mesazh të qartë, se njerëzit që bënë luftën duhet ta lëshojnë pushtetin sa janë në majat e suksesit, prandaj ne duhet ta vlerësojmë dhe të veprojmë sipas kësaj porosie”, ka thënë Pacolli.
Top Channel