Kryeministri kosovar Hashim Thaçi deklaroi se misioni faktmbledhës i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave pritet të bëjë një vlerësim më pozitiv, më real dhe të bazuar në fakte.

Misioni faktmbledhes i Komisionit Evropian, i shumpritur nga institucionet kosovare, do të jetë në Prishtinë nga data 2 deri me 6 dhjetor. Ky ekip pritet të bëjë vlerësimin e përmbushjes së kritereve të tri nga pesë blloqet që janë parashikuar për procesin e liberalizimin e vizave.

“Më lejoni të kujtoj se ky proces është jashtëzakonisht i rëndësishëm për shtetin tonë, pasi këto kritere janë realitet, janë reforma nga të cilat në çdo aspekt do të përfitojë vendi dhe qytetarët e Kosovës. Për këtë arsye është mëse e rëndësishme të marrim një vlerësim sa më të sinqertë dhe të bazuar në fakte. Pra, një vlerësim sa më pozitiv. Besoj se të gjithë jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që ka procesi i liberalizimit për vendin tonë. Edhe rëndësia e këtij misioni faktmbledhës është po ashtu i rëndësishëm”, deklaroi Thaçi.

Kreu i ekzekutivit shtoi se ekipi faktmbledhës duhet të dëshmojë punën që është bërë. “Ky mision, siç thash edhe më herët, do t’i vlerësojë tri blloqet e para, pra do të vlerësojë zbatimin e kritereve që lidhen me fushën e riatdhesimit, riintegrimit, sigurisë së dokumenteve personale, migrimit dhe azilit. Përderisa blloqet e mbetura mbetet të vendoset nga misioni evopian se kur do të bëjë një vlerësim të tillë, deri atëherë ne duhet të dëshmojmë punën që kemi bërë në zbatimin e këtyre kritereve dhe në të njëjtën kohë të vazhdojmë pa u ndalur së zbatuari kriteret e tjera”, nënvizoi Thaçi.

Kryeministri Thaçi iu tha përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse për këtë proces se duhet të jenë të kujdësshëm dhe gjatë misionit faktmbledhës të kenë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, të kenë me vete të gjitha të dhënat dhe t’i prezatojnë ato ashtu siç janë dhe siç i kanë zbatuar.

Top Channel