
U deshën masa të forta sigurie dhe automjete të blinduara për ta sjellë ish-komandantin e UÇK-së, Sylejman Selimin dhe tre të tjerë në seancën gjyqësore për t’u ballafaquar me drejtësinë.
Këtë herë jo për ndjeshmërinë e procesit por për faktin se ai po zhvillohet në gjykatën e Mitrovices e cila ndodhet në pjesën veriore të qytetit.
Policia e Kosovës mori përsipër që edhe avokatët dhe gazetarët t’i shoqërojë në objektin e gjykatës. Bëhet fjalë për seancën fillestare në procesin gjyqësor kundër katër të akuzuarëve të cilët dyshohen për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.
Kryetari i trupit gjykues, Philip Kanning tha se të akuzuarit janë të pafajshëm deri në provimin e fajësisë nga prokurori. Ndërsa lexoi rregullat e gjykatës, gjyqtari ndërkombëtar i drejtohej me termin “ambasador” ish-komandantit Selimi, i cili me gjithë proceset gjyqësore vazhdon të jetë ambasador i Kosovës në Shqipëri.
“Nuk jam fajtor”, tha Selimi në deklaratën e parë të tij në kuadër të këtij procesi. Fajësinë e mohuan edhe tre të akuzuarit e tjerë. Avokati i Selimit, Tomë Gashi kërkoi që kjo lëndë të bashkohet me atë të grupit “Drenica”, pasi veprat me të cilat ngarkohet klienti i tij në dy proceset janë të ngjashme.
Për këtë çështje, gjykata pritet të vendosë në seancën e radhës dhe pasi avokatët ta kenë dorëzuar me shkrim kërkesën në prokurori dhe gjykatë. Ish-komandanti i UÇK-së Sylejman Selimi akuzohet se në cilësinë e oficerit të lartë ka cënuar integritetin trupor të dy femrave shqiptare, duke i rrahur ato në mënyrë të përsëritshme.
Për keqtrajtimin e tyre si dhe detyrimin për të nënshkruar deklaratë të rreme akuzohen edhe ish-ushtarët Nexhat Cubreli dhe Ismet Haxha. Veprat supozohen të jenë kryer në fshatrat Likoc dhe Vaganicë. I akuzuari tjetër Shefki Hyseni akuzohet për përdhunimin apo kryerjen e marrëdhënieve seksuale me njërën prej tyre, siç njihet në aktakuzë dëshmitarja “A”, në kundërshtim me vullnetin e saj.
Top Channel