
Edhe pse kishte deklaruar se fluturimet në Kosovë do të vazhdonin pa problem, kompania “Belle Air Europe”, e cila kryen fluturime nga Prishtina, njoftoi të mërkurën se, përpara një situatë të vështirë ekonomike është e detyruar të pezullojë përkohësisht fluturimet e saj.
Në komunikatën për shtyp njoftohet gjithashtu se edhe kompania ajrore “Darwin Airline” ndërpret fluturimet nga Prishtina për në Zyrih dhe Gjenevë dhe anasjelltas. “Darwin Airlines” ka marrëveshje me “Belle Air Europe” për t’i marrë në shfrytëzim avionët.
Ndërkohë që “Belle Air Europe” me zyrë në Prishtinë sqaroi se kanë filluar proçedurat e rimbursimit të biletave, Ministria kosovare e Infrastrukturës fton personat e dëmtuar që të kërkojnë kompensim.
“Në rastet kur nuk jeni të kënaqur me përgjigjen e “Darwin Airlines”, ju lutemi të kontaktoni me Departamentin e Aviacionit Civil të Ministrisë së Infrastrukturës”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Ministria e Infrastrukturës njofton se duhet të mësojë statusin ligjor të kompanisë nga autoritetet italiane para se të jetë në gjendje të këshillojë më tutje personat e prekur në rastin e “Belle Air”.
Falimentimi i kompanisë pak ditë më parë shkaktoi kaos edhe në aeroportin e Rinasit, në Tiranë, ku qindra qytetarë që u duhej të udhëtonin të dielën dhe të hënën qëndruan për orë të tëra në terminal, pa u informuar se kompania kishte shpallur falimentin zyrtar dhe anuluar të gjitha fluturimet.
Top Channel