
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka vlerësuar se marrëveshja e 19
prillit në Bruksel, ndërmjet Kosovës e Serbisë, përbën arritjen më të
madhe në dialogun mes dy vendeve dhe fuqishëm hap rrugën për zgjidhjen e
problemeve mes tyre dhe për integrimin evropian.
“Marrëveshja do të ketë kuptim vetëm kur të zbatohet në tërësi çdo pikë dhe çdo pjesë e saj”, ka thënë Jahjaga në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”.
Ajo është shprehur se, Kosova dëshiron që realizimin e marrëveshjes ta mbikëqyrin Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara si ndërmjetësues, pasi sipas saj kjo do të ndihmojë të dyja palët që të realizojnë atë për të cilën janë marrë vesh.
“Kosova është një realitet në Evropë dhe ky realitet është pranuar nga më tepër se 100 shtete, madje edhe nga një pjesë e mekanizmave ndërkombëtarë financiarë të rëndësishëm. Ajo e ka të hapur rrugën drejt BE-së, sikurse të gjitha vendet e tjera të Evropës jug-lindore”, ka shtuar Jahjaga.
Top Channel