Dita e pavarësisë së shtetit shqiptar nuk figuron në kalendarin e festave në Kosovë. Megjithatë, antarët e kryesisë së Kuvendit kanë marr vendim që më 28 nëntor të mos ketë seancë plenare.

Arsye tjetër që shtyn punimet e Kuvendit, sipas anëtarëve të kryesisë është edhe fushata elektorale për balotazhin që do të mbahet më 1 dhjetor.

“Ju njoftoj se këtë javë nuk ka mbledhje plenare edhe për shkak të festave të nëntorit, por edhe për faktin se nuk kemi material të mjaftueshëm dhe seanca e radhës do të jetë me 5 dhjetor 2013”, ka deklaruar kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Ndërsa grupet parlamentare kanë konsideruar se shtyrja e seancës është me vend, pasi pikërisht të enjten është festa e 28 nëntorit dhe nuk ka arsye të mbahet seanca plenare.

“Jemi në fushatë, por mbi të gjitha, ju e dini që me 28 do të binte pikërisht e enjte dhe nuk e shohim të arsyeshme që po këtë ditë të mbahej seanca, sikundër që janë edhe zgjedhjet dhe që të gjithë jemi të angazhuar, kush më shumë e kush më pak, sidomos LDK-ja, sepse, ju e dini që ne jemi në balotazh në shumë komuna. Por kundërkandidat kemi të partive të ndryshme, të PDK-së dhe AAK-së, prandaj, edhe LDK-ja është e angazhuar shumë, por kjo u bë edhe me dakordimin e grupeve tjera”, ka thënë Ismet Beqiri, shef i grupit të LDK-së.

“Mund të them për të dyja. Gjithësesi, se është 28 nëntori, por edhe për shkak të fushatës, por edhe sikur të mos qëllonte 28 nëntori, sigurisht se për shkak të 5 ditëve fushatë do të kishte qenë problem. Por, as herëve të kaluara Kuvendi për 28 nëntor nuk ka mbajtur seancë pune”, ka thënë Ardian Gjini, shef i grupit parlamentar të AAK-së.

Seanca e radhës plenare e Kuvendit të Kosovës do të mbahet më 5 dhjetor, menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve për balotazh në 24 komuna të Kosovës.

Top Channel