“Unë jam nga Berlini – Unë jam pasues i Kenedit”

24/11/2013 00:00

Leonard BODURI – 22 nëntori i vitit 1963 nuk është një datë e zakonshme në historinë e njerëzimit. Presidenti më i dashur i të gjitha kohërave të SHBA-së u ekzekutua para syve të së gjithë botës nga një dorë e errët.

U qëllua mbi atë që përmbushi në këtë mënyrë me heroizëm premtimin që do të bënte për vendin e tij më shumë se vendi i tij do të bënte për të. Krimi kundër Presidentit më të ri të Shteteve të Bashkuara u mbulua me një mister të madh, pas ekzekutimit alla-mafioz të personit që ishte përdorur banalisht për të shkrehur këmbëzën e armës vrastare. Askush nuk i di shkaqet e vërteta, por për të gjithë është e qartë se 50 vjet më parë nuk u qëllua mbi një njeri të vetëm, por mbi idetë e tij të guximshme, për mënyrën se si vendi më i fuqishëm në botë duhej të reformohej dhe se si bota duhet të trajtonte padrejtësitë. U qëllua mbi të barbarisht ditën për diell, për të ndalur hapin e një njeriu që nuk nënshtrohej dhe që nuk bënte kompromise në kurriz të askujt si dhe për të frenuar dëshirën e miliona njerëzve të tjerë për të ndjekur modelin e tij të guximshëm. Plumbat e armëve arritën të ndalnin rrahjen e zemrës së një njeriu të lirë, por jo rrezatimin dhe frymëzimin e ideve të tij. Me Kenedin, njerëzimi fitoi një model të ri udhëheqësi, jeta e të cilit, edhe pse u ndërpre shumë shpejt, la një shenjë të pashlyeshme në historinë amerikane dhe botërore.

Karizma dhe idetë e tij të guximshme do t’i jepnin mundësinë Xhon Kenedit të realizonte një karrierë të rrufeshme dhe të drejtonte Shtëpinë e Bardhë në një moshë të re në kohët më të trazuara të politikës ndërkombëtare. Në mes të Luftës së Ftohtë, ai u përball me Krizën Kubane të Raketave, duke shmangur mundësitë e lindjes së një konflikti të tretë botëror. Shprehjet e tij janë të paharrueshme për thjeshtësinë dhe forcën e ideve që përçonin. “Ich bin ein Berliner” është fraza e famshme e shqiptuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë fjalës së tij, ndërsa ai ishte në një vizitë zyrtare në qytetin e Berlinit Perëndimor, në vitin 1963. Ky ishte qëndrimi i tij i palëkundur kundër Luftës së Ftohtë, kundër ndërtimit të Murit të Berlinit, i cili, në sajë të jehonës së fjalës së tij, do të thërrmohej nën vete vetëm 26 vjet më pas. Kenedi ishte Presidenti i ndryshimit dhe i shpresës. Qasja e tij energjike ndaj fushatave sociale me një politikë të përkushtuar për integrimin dhe mosdiskriminimin i dha atij adhurimin dhe famën e yjeve të muzikës dhe të kinematografisë. Politika e çarmatimit bërthamor dhe gara për eksplorimin e hapësirës janë pjesë e trashëgimisë së paçmuar të lënë nga një President i paharruar, i cili qëndron në Olimpin e personaliteteve të mëdha amerikane dhe botërore.

Shumë ide janë hedhur dhe shumë shpjegime konspirative janë ndërtuar mbi jetën e tij personale dhe publike, për të kuptuar arsyet e largimit të tij nga kjo botë. Unë nuk besoj se ai ishte një engjëll i zbritur nga qielli, por një njeri si të gjithë ne, me të mirat dhe të këqijat njerëzore brenda vetes. Vepra e tij flet më shumë se çdo gjë tjetër se qëllimet e tij ishin të shenjta. Nuk është e nevojshme të jesh studiues i historisë për të parë gjurmët dhe frymëzimin që ai hodhi në të gjithë botën. Vrasja e tij në mënyrë barbare më jep argumentin e pakundërshtueshëm se ai njeri nuk u nënshtrua ndaj presionit të askujt dhe me heroizmin e tij na dha një shërbim të madh në ngritjen e dinjitetit njerëzor dhe sidomos në ngritjen e dinjitetit publik. Sulmi ndaj tij nuk mund të ishte i tipit personal, pasi simpatia e tij, që ai rrezatonte në planin personal, nuk mund të krijonte armiqësi banale. Sulmi ndaj Presidentit Kenedi ishte një sulm ndaj ushtrimit të drejtë të pushtetit të deleguar nëpërmjet mekanizmit të demokracisë, me qëllimin e mbrapshtë për manipulimin dhe kontrollin e tij. Presidenti Kenedi nuk e pranoi një kompromis të tillë dhe refuzoi të ishte një vegël në duart e padrejtësisë kundër popullit të tij, duke u bërë hero i demokracisë së vërtetë. Ai doli fitues nga kjo betejë dhe arriti që, nëpërmjet forcës së mendimeve, të shihte me sytë tanë në pak vite, të realizuara qëllimet e tij për popullin amerikan dhe për njerëzimin.

Politikanët e tipit Kenedi është e zorshme t’i hasësh shpesh në kohët tona. Shkurt muhabeti janë një specie në zhdukje, për të cilët duhet të kujdesemi shumë për t’i pasur prezent në politikën moderne. Këta janë ata pak njerëz, të cilët, në një mjedis me kontaminim të lartë të korrupsionit dhe manipulimit, dinë të marrin vendime të drejta dhe të mos manipulohen me letra që mbajnë të shkruara mbi vete shumë zero. Hasja e një modeli i tillë nuk mund të jetë një rastësi fatlume, por vetëm një brumosje intelektuale dhe karakteriale e shoqëruar me një gjenialitet të rrallë. Duke cituar Kenedin: “Dy mijë vjet më parë krenaria më e madhe ishte të thoje ‘Civis Romanus sum’ (jam qytetar romak)”. Në vitin e trazuar 1963, Kenedi protestonte dhe solidarizohej me gjermanët në mes të Berlinit të ndarë me shprehjen “Ich bin ein Berliner” (Unë jam nga Berlini). Sot, në botën e lirë, si rezultat i përpjekjeve të tij, krenaria më e madhe është të thuhet “Unë jam nga Berlini – Unë jam pasues i Kenedit”. Të gjithë njerëzit e lirë, kudo që ata të jetojnë, janë qytetarë të Berlinit, dhe për këtë arsye, si njerëz të lirë, duhet të jenë krenarë të jenë pasues të veprës së Kenedit…

Marre nga gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA