Samuel Ziob jeton pikërisht aty, ku në serbisht shkruan “kujdes – rrezik”. Një transformator është bërë shtëpia e tij muajt e fundit.

Nga Sierra Leone në Afrikën Perëndimore, Samuel ka udhëtuar një vit dhe
ka arritur në Serbi. Shpreson që një ditë të jetë kontabilist, pasi
njerëzit në bankë vishen bukur. Por, llogaritjet e tanishme nuk i kanë
ecur shumë mirë.

“Vendi im është një vend, ku të pasurit pasurohen çdo ditë dhe të varfërit varfërohen. Nuk ka të ardhme, qeveria nuk është duke ndihmuar”, thotë Samuel Ziobi, refugjat nga Sierra Leone.

Rreth 15 mijë refugjatë, nga vendet e konflikteve në Afrikë, kanë kaluar nëpër shtetet ballkanike dhe në Serbi. Por, këto janë vetëm statistikat zyrtare. Në Bogovagja, rreth 70 kilometra nga Beogradi, është qendra e strehimit. Por, aty ka vend vetëm për një pjesë të refugjatëve. Azili nuk aprovohet, kurse në pritje të lirimit të një vendi, rreth 300 refugjatë presin nëpër male për një shtrat dhe disa vakte të ngrohta. Por, kapacitetet janë të vogla në një fshat, ku refugjatët përbëjnë tre herë më shumë se numri i banorëve.

Ziad Husain, nga qyteti Homs, ka qenë student i rregullt, kurse Ali Bartas, nga Damasku, para luftës mes forcave të Bashar al-Assad dhe rebelëve, ka punuar si teknik në laboratorin e njërit prej spitaleve të kryeqytetit sirian.

“Na japing një herë në ditë për të ngrënë këtu, ne nuk po vdesim në Siri, por po vdesim këtu”, thotë Ziad Husain, refugjat nga Siria.

“Policia nuk na bën problem, na i japin dokumentet, por nuk mund të shkojmë në kamp. Kemi 25 ditë këtu”, tha Ali Bartas, refugjat nga Siria.

Policia serbe arrinë të kapë një pjesë të tyre në kufirin me Maqedoninë, afër Preshevës. Një pjesë arrin në Europë, por shumë prej tyre fati, si për ironi, i ka sjellë në Ballkan. Zyrtarët thonë se përballen me vështirësi, pasi ky është një fluks i madh refugjatësh. Njerëzit si Samuel nga Sierra Leone duan një vend për të jetuar, pasi mbrapa nuk do të kthehen.

“Nuk është e rëndësishme, nëse është vend amerikan, rus apo europian. Ne kemi nëvojë për një vend të qetë, ku të jemi të mirëpritur”, thotë Samuel Ziobi, refugjat nga Sierra Leone.

Por, deri sa ndonjë vend të tregojë mëshirë për këta njerëz, duket se adresat e tyre janë burgjet dhe malet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA