
Prokuroria për Krime Lufte në Serbi thotë se gjatë hetimeve të reja mbi rastin e vëllezërve Bytyçi ka siguruar të dhëna për persona që janë direkt të përfshirë në vrasjen e tyre.
“Në proçedurat paraprake hetimore kemi të dhëna të reja, por në këtë moment nuk mund të them se për sa persona bëhet fjalë dhe as të zbuloj emrat e tyre. Të gjithë ata, për të cilët të dhënat na tregojnë se kanë qenë direkt të përfshirë në vrasje, kanë qenë ose janë pjesëtarë të MPB-së”, ka thënë prokurori Vladimir Vukçeviç për gazetën “Blic”.
Agron, Yll dhe Mehmet Bytyçi, shtetas amerikanë me origjinë nga Kosova, janë vrarë me plumb pas koke, ndërsa trupat e tyre të pajetë janë gjetur në vitin 2001 në varrezën masive në Petrovo Sello të Serbisë.
Reagimi i zyrtarit serb vjen pak ditë pasi Kongresi amerikan miratoi një rezolutë për tre vëllezërit, përmes të cilës i kërkohej Beogradit që të zbardhë vrasjen e tyre, në të kundërt Serbia rrezikon të prishë raportet me Shtetet e Bashkuara.
Ndërkohë, Fatos Bytyçi, vëllai i tre viktimave, i cili aktualisht gjendet në Beograd, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se prej 14 vjetësh është në bisedime me autoritetet e rendit në Serbi dhe ka pasur premtime edhe më herët se kjo çështje do të zgjidhet. Edhe pse shfaq skepticizëm për zotimet që i janë dhënë deri më tani, zoti Bytyçi ka theksuar se nuk do të heqë dorë nga ky rast.
Nga takimet që ka zhvilluar me përfaqësues të institucioneve të drejtësisë në Beograd, Fatos Bytyçi thotë se ka konstatuar se të gjithë kanë frikë nga “Guri”, duke iu referuar një ish-zyrtari të lartë policor serb, Goran Radosavljeviç Guri, dikur gjeneral në policinë e Serbisë dhe udhëheqës i xhandarmërisë serbe.
Top Channel