Pak ditë para zhvillimit te seancës dëgjimore kundër gazetarit Milaim Zeka, i hetuar nga EULEX nën dyshimin për frikësim të dëshmitarëve dhe pengim të drejtësisë, mbrojtja e tij e quan këtë zhvillim një ngjarje që rrezikon gazetarinë hulumtuese në Kosovë.

Ndërkohë që producentja e emisionit të zotit Zeka, Edlira Qefalia thotë se transmetimi i intervistave me dëshmitarë është bërë me dijeninë e prokurorisë. Në anën tjetër, Qefalia fajësoi Radio Televizionin e Kosovës, ku ky emision transmetohet, për zbulim të identitetit të dëshmitarit të mbrojtur.

“Identiteti është nxjerrë në edicionin e lajmeve. Në emisionin “Pa Rrotlla” nuk është nxjerrë identiteti, fytyra, nuk është nxjerrë emri i personit. Është marrë leje a të vazhdoj me trsnsmetimin e këtyre dëshmive, apo jo dhe prokurori Salustro ka thënë “mund të vazhdosh””, deklaroi Qefalia.

Ndërkohë, avokati norvegjez Kjell Myrland dhe asistenti i tij me origjinë kosovare, Afrim Taraku të ardhur enkas nga Norvegjia për këtë çështje, thanë se një akuzë e tillë ndaj një gazetari hulumtues në shtetin e tyre do të ishte mjaft shqetësuese.

“Në shoqëritë tona është një parregullsi shumë e madhe që të ketë padi ndaj një gazetari hulumtues dhe të bastistet shtëpia, zyrat e vendet e tij të punës. Kështu që, ne jemi këtu të ndihmojmë atë dhe avokatin e tij në të gjitha mënyrat e mundshme”, deklaroi Myrland.

“Mes themeleve të një shteti apo demokracie, një prej tyre është edhe gazetaria që duhet të jetë e lirë, kritike dhe që t’i mundësohet si në gjithë botën demokratike të jenë hetues ndaj organeve zyrtare, ndaj policisë e organizatave qeveritare e joqeveritare. Këto padi që janë drejtuar Milaim Zekës, janë jashtzakonisht të pakuptueshme”, tha Afrim Taraku, asistent i avokatit norvegjez.

Sipas avokatit mbrojtës të Milaim Zekës, Gafurr Elshani, seanca dëgjimore për gazetarin do të mbahet më 25 nëntor në Mitrovicën e Veriut. Zeka po akuzohet nga EULEX në lidhje me intervistimin dhe publikimin e dëshmitarëve të mbrojtur të këtij misioni në hetimet e tyre kundër “Grupit të Drenicës”, i akuzuar për krime lufte.

Top Channel