Me rastin e shënimit të 105-vjetorit të alfabetit të gjuhës shqipe, ministrja shqiptare e Kulturës, Mirela Kumbaro ka realizuar një vizitë në Muzeun e Alfabetit në Manastir, ku është pritur nga homologia Elizabeta Kançevska dhe zv/kryeministri Musa Xhaferi.

Gjatë kësaj vizite, e para e këtij niveli në Muzeun e Alfabetit në Manastir, zonja Kumbaro ka parë nga afër hapësirat e godinës ku u hartua alfabeti i sotëm i gjuhës shqipe.

“Është padyshim një kënaqësi për mua që vizitën e parë në Maqedoni e bëj pikërisht në Manastir dhe në një ditë të veçantë si 22 nëntori, ku kemi sot 105-vjetorin e Kongresit të Alfabetit që është, le të themi, zemra e asaj çfarë bashkon gjithë shqiptarët. Është thelbi i identitetit tonë, gjuha shqipe, e cila ka ekzistuar para se të ekzistonte vetë Shqipëria”, u shpreh Kumbaro.

Gjatë takimeve që pati me zyrtarët e lartë të qeverisë së Shkupit, zonja Kumbaro ka shprehur shqetësimin e Tiranës lidhur me rastet e shumta të dëmtimit të Muzeut të Alfabetit dhe paralajmëroi forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve për mbrojtjen e momuntenteve historike.

“Në radhë të parë është detyrë e shteteve ku ndodhen këto monumente për t’i ruajtur, për t’i konservuar dhe mbrojtur. Dhe kur secili institucion e luan mirë rolin e vet, jep modelin dhe shembullin për shtetasit e atij vendi se si duhet t’i ruajmë. Në kët frymë ne folëm për krijimin e një ekipi të përbashkët për të krijuar një skuadër, në kuptimin e mirë të fjalës se si mund të ndërtojmë projekte të përbashkëta në mirëmbajtjen e tyre”, tha më tej Kumbaro.

Pas takimeve dhe vizitës që i bëri muzeut, zonja Kumbaro ka marrë pjesë në akademinë solemne që u organizua në Manastir me rastin e shënimit të 105-vjetorit të alfabetit të gjuhës shqipe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA