Për të ndryshuar zakonet e vjetra

18/11/2013 00:00

Zamira Cavo – Biem të gjithë dakord që në ngjarjet e ditëve të fundit
fitoi shqiptaria. Kur them shqiptaria e them pa më të voglin ekuivok,
pra fitoi një sjellje e re politike, pavarësisht humbjeve e llogarive të
tjera që mund të bëhen.

Shqiptarët treguan se u ka ikur koha “maskarenjve” dhe një erë e re, shpresojmë të fryjë në kulturën tonë politike. Ka shumë faktorë që çuan shqiptarin të tregojë një sjellje të re politike. Mbi të gjitha është, liria e fituar në mënyrën e të menduarit e më tej të vepruarit.

Shqiptaria, në mendim tim, është shenjë e pjekurisë së demokracisë sonë. Njerëzit dhe pse të nisur nga premisa individuale e kuptuan se kjo “individuale” nuk mund të fitojë pa u bërë çështje e të gjithëve, pa u bërë “kauzë”. Ndaj shpresoj se në të ardhmen shqiptarët do dinë të jenë protestues për gjithçka ka të bëjë me të përditshmen personale të shprehur në të përgjithshmen e tyre. Kjo do të thotë që politika e vjetër e “liderëve historikë” klanor, primitiv po lihet pas, për të parë me mëndje drejt së resë e demokracisë. Fakti që në sheshet e Shqipërisë ishin të rinj, më jep edhe më shumë besim.

Por nga e gjithë kjo betejë e fituar tashmë, në emrin e shqiptarisë, mendoj se duhet të shohim përtej dukjes për të kuptuar disa probleme;

Së pari- Ideja se jemi të varfër dhe mund të blihemi lehtas, duket se gradualisht po largohet. Ngjarjet në Korçë, dhe fakti që Partia Socialiste e la çështjen në dorë të drejtësisë pa ndërhyrë politikisht, është një tregues kurajoz për ta shmangur këtë dukuri kaq fyese për shoqërinë. Po kështu dhe në protestat e fundit. Nuk e di se nga kush u paguan paratë që u dhanë disa të rinjve për të qëndruar sa më gjatë në shesh, por mendoj se ato para cilido që i ka shpenzuar u kanë shkuar dëm, pasi mund të paguaje disa, por jo rininë shqiptare!  Po kështu thirrjet e disa individëve (jo fort të dëshiruar nga njerëzit) që u munduan ta privatizojnë me “legjitimitet të blerë” protestën në kryeqytet, mbetën shenjat e fundit të një vdekjeje të paralajmëruar të kohës së kulisave politike. Fakti që të rinjtë pushtuan sheshet nuk është meritë e askujt si individ, por e një lëvizjeje që sigurisht rrjetet sociale e fuqizuan për ta çuar nga fjala te vepra. Të gjitha përpjekjet për të dalë në krye me thirrje gërvishtëse apo me gjokse politike, janë të destinuara të mbeten si grumbujt e fundit të “mbetjeve” nga pastrimi i mendjes dhe ecja përpara.

Së dyti: Kjo protestë tregoi se shqiptarët tashmë nuk mund të manipulohen lehtas si më parë, se nuk bëjnë “budallain” përballë liderit politik që i mashtron, i tall e i konsideron si turma, teksa u flet për mirëqenien e tyre gati më të mirë se të europianëve. Kjo lloj politike demagogjike tashmë nuk do zërë vend te shqiptarët. Berisha i përket të kaluarës dhe berishizmi, shumë shpejt po shndërrohet në një ëndërr të keqe, që shqiptarët duan ta harrojnë. Por e njëjta vlen dhe për Kryeministrin aktual. Rama e pa qartë se shqiptarët që i dhanë votën, tashmë nuk janë “turmat” që ndiqnin verbazi e nga frika Berishën. Shqiptarët janë tashmë “neë generation” që mendojnë ndryshe dhe nuk lejojnë askënd të tallet me ta, apo të vendosë në emër të tyre. Dhe ky besoj është një mësim që duhet pasur mirë në konsideratë.

Së treti: Në botën globale ku jetojmë, informacioni është fuqi. Po dhe boshllëk informativ nuk mund të ketë. Nëse nuk bëjnë informimin e duhur ata që mbajnë mbi supe vendimmarrjen, është e natyrshme që spekulimet vijnë në fryrje aq më tepër kur çështja është e ndjeshme ekstremisht. Çdo justifikim për “konfidencializëm” apo diplomaci, mendoj se shteret përballë fakteve publike të burimeve informative nga jashtë apo brenda vendit. Ndaj nuk gjej justifikim për aq kohë sa informacioni mbi demontimin e armëve kimike në Shqipëri ishte bërë publikisht e ndërkombëtarisht i njohur! Jo vetëm kaq. Shqiptarët në këto protesta e treguan se nuk lejojnë më askënd të marrë vendime në emrin e tyre, pa ditur ata më parë se çfarë fitojnë e çfarë humbasin. Kjo e bën edhe më të fortë detyrën e Qeverisë për informim të vazhdueshëm për çdo çështje madhore që prek interesat tona të përbashkëta. Unë shpresoj shumë që edhe në të ardhmen shqiptarët ta demonstrojnë këtë, nëse Kryeministri apo cilido pushtetar i “privon” nga informacioni që u përket. Qeveria duhet të japë llogari e të mbajë përgjegjësitë e rastit për situatat që krijon apo mund të krijohen në të ardhmen. Vetëm një politikë e shëndetshme bashkëbisedimi sy në sy me njerëzit, rrit besimin dhe i jep shpresë së ardhmes.

Së katërti: Kjo protestë tregoi se shqiptarët presin tashmë përgjegjësi nga ata që i kanë dhe ushtrim të këtyre përgjegjësive.  Kjo besoj do ta ndryshojë në favor të individit raportin qeverisje individ. Nga ana tjetër, qeveria do duhet të përgjigjet para shqiptarëve për premtimet që ka marrë. Po shkon drejt fundit “pritja” për durimin e faktit që Qeveria është e re në detyrë. Nëse sërish qytetari nuk gjen korrektesë në shërbimet që ofron shteti, nëse punonjësi i Administratës Publike sërish të kërkon “ryshfetin’ apo të sorollat po nuk ia afrove atë, do të të kërkojë llogari deri në një.  Qytetari nuk do t’ia dijë nëse ti si pushtet ke lënë në punë akoma individë të korruptuar ose jo. Ai do të të kërkojë llogari ty, si përgjegjës i qeverisjes. Qytetarët presin të zbatohen politikat për të cilat dhanë besimin e tyre  politika qofshin si reforma në arsim e shëndetësi qofshin si politika monetare e fiskale. Nuk ka më justifikim se ende po merremi me administratën! Personalisht mendoj se një administratë gjysmake, për shkak të ndryshimeve pjesore dhe për shkak të qeverisjes dystandardesh mes PS dhe LSI, do ta detyrojë  qeverinë të vihet shpejt para llogaridhënies publike.

Ndaj mendoj se protestat e fundit  i hapën rrugë një mendimi tjetër mbi shqiptarinë politike dhe shqiptari, do të ndryshojë sjelljen e tij duke i dhënë fund praktikave të vjetra “alla bizantine”.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA