“Albpetrol”, shkarkohen 874 punonjës

18/11/2013 00:00

Mbi 874 punonjës të kompanisë “Albpetrol” kanë dalë të papunë, pas një
vendimi të Këshillit Mbikëqyrës për të shkurtuar stafin e kompanisë.

Përmes një njoftimi për shtyp, “Albpetrol” bën të ditur se struktura e re e miratuar parashikon që numri total i të punësuarve në këtë kompani të zbresë deri në 1868 punonjës, nga rreth 3 mijë që ka aktualisht. Sipas njoftimit, për të zbritur tek ky numër kompania do të ketë një valë tjetër shkurtimesh edhe në tre mujorin e parë të vitit.

Sipas njoftimit, Këshilli Mbikëqyrës ka vendosur që punonjësit e larguar nga puna të trajtohen sipas një skemë të përcaktuar, e cila parashikon shpërblim me një vit pagë për punonjësit që kanë mbi dy vjet punë në kompani plus pagën e një 15 ditëshi për çdo vit vjetërsi pune. Burime nga “Albpetrol” bëjnë të ditur se së shpejti shoqëria do të nisë testimin e të gjithë punonjësve të emëruar gjatë tre viteve të fundit.

Sipas tyre, qëllimi i testit është identifikimi i punonjësve që nuk kanë kualifikimin e duhur për vendin e punës ku janë emëruar. “Albpetrol” thotë se rezultatet e testit do të bëhen publike dhe procesi i shkurtimeve do të jetë transparent. “Albpetrol” është kompania e vetme e naftës, që ka mbetur ende në pronësi publik, pas një sërë tentativash të dështuara të Qeverive për privatizimin e saj, që kulmuan vitin e kaluar kur “Vetro Energy”, një kompani e zotëruar në pjesën më të madhe nga Rezart Taçi ofroi 850 milionë euro në tender, por nuk i pagoi paratë.

Top Channel