Që qeni ka prejardhjen nga ujku, kjo nuk ka asnjë pikë dyshimi tashmë për studiuesit, por ajo që po mundohen të kuptojnë ata prej vitesh është se ku dhe kur është zbutur për herë të parë ai.

Një studim i ri i bazuar në analizat gjenetike të qenëve të lashtë dhe të atyre modernë dhe krahasimi i tyre me gjenet e ujkut, arrin në përfundimin se qeni është zbutur për herë të parë në Europë rreth 18 mijë vjet më parë.

Udhëheqësi i studimit, Olaf Thalmann publikoi rezultatet e punës disa-vjeçare në revistën “Science”. Ata krahasuan sekuencat gjenetike të marra nga fosilet të një grupi të madh qensh dhe ujqërish antikë që mendohet se kanë populluar tokën mijëra vite më parë, me materialet e ditëve të sotme të marra nga ujqërit dhe qentë.

Rezultati tregon se qentë e sotëm janë më të afërt me ujqërit apo qentë e lashtë Europianë, ndërsa ujqërit e lashtë Europianë mendohet se janë zhdukur.

Sipas kësaj hipoteze, qentë kanë nisur shkëputjen nga ujqërit në periudhën kur njerëzit ende jetonin si nomadë dhe burim kryesor ushqimi kishin gjuetinë.

Studimet e mëhershme sugjeronin se qentë janë zbutur për herë të parë në Lindjen e Mesme ose në Azinë Jug-lindore.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta