Kryeministri Edi Rama u kthye në mbrëmje, në zyrën e tij në Kryeministri, nga vizita zyrtare në Mal të Zi.
Gjatë orëve të mbrëmjes u mësua se Rama ka pasur një bisedë të tretë telefonike me Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, por ende nuk ka një vendimmarrje në lidhje me armët kimike të Sirisë.
Por, burime pranë qeverisë thanë se kryeministri do ta bëjë publik vendimin për këtë çështje, gjatë ditës së premte.
Kryeministri duket se do të ketë një natë të gjatë në zyrë, në lidhje me vendimin që qeveria do të marrë në lidhje me arsenalin e armëve të Sirisë.
Të premten, 15 nëntor, OPAK merr vendimin
SHBA dhe Rusia po kërkojnë të zgjasin procesin e shkatërrimit
Organizata për Parandalimin e Armëve Kimike do të dalë të premten, më 15
nëntor, me një vendim të qartë, përmes të cilit do të mësohen vendet
dhe mënyrat e shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë.
Zv/ministri i Jashtëm rus, Genadi Gatilov, tha se OPAK po shqyrton mundësitë bashkë me vendet e interesuara, emrat e të cilave ai nuk i bëri publik.
Diplomati rus tha se ekziston një konsensus, qe mbushjet kimike të shkatërrohen jashtë Sirisë, që do të përbënte edhe mënyrën më të sigurt dhe më racionale, për t’i bërë ballë kërcënimit të armëve kimike të këtij vendi.
Më herët, media foli për një projekt/marrëveshje të re mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara; dy vendet kërkojnë që lëndët kimike të dalin jashtë Sirisë në fund të këtij viti dhe të eliminohen në fund të 2014, e jo në mesin e 2014-s siç është thënë më parë.
Në fazat e para, Siria do të fragmentojë arsenalin kimik në mesin e 2014-s dhe do t’i lëvizë lëndët kimike jashtë vendit, më 31 dhjetor të këtij viti.
Përjashtimi i vetëm do të ishte alkooli izopropil, një prekursor sarin, që do të shkatërrohet në Siri, më 1 mars të vitit të ardhshëm.
Zv/ministri i Jashtëm rus tha se Moska po shqyrton mundësinë për të dërguar 2 milionë dollarë si ndihmë për OPAK, që po vëzhgon çarmatimin e Sirisë nga armët kimike.
Transportimi i armëve kimike po diskutohet. Duke iu referuar OPAK, Damasku ka 1300 ton substanca kimike dhe prekursorë, që përdoren për të pasur armë kimike, dhe 1200 municione të pambushur.
Top Channel