Ndërsa pranohet se diabeti do të jetë sëmundja e këtij shekulli, përmasat e përhapjes që mund të arrijë janë ende të panjohura, pasi çdo vit numri i të prekurve rritet në mënyrë të frikshme, deklaruan autoritetet shëndetësore në ditën ndërkombëtare të kësaj sëmundje.
Gjatë 2013-s, numri i personave të prekur nga sëmundja e sheqerit në të gjithë planetin është rritur me përmasa të frikshme dhe impakti ekonomik e social është bërë gjithmonë edhe më i madh.
Sipas përllogaritjeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 382 milionë persona në të gjithë botën janë të prekur nga sëmundja.
Diabeti pritet të bashkëjetojë me 600 milionë njerëz në vitin 2035, kur parashikohet që një në dhjetë qytetarë të jetë i sëmurë.
“Diabeti, në të gjithë format e tij imponon kosto të papranueshme njerëzore, sociale dhe ekonomike”, shkruhej në raportin e publikuar nga Federata Botërore e Diabetit.
“Sa herë që ne publikojmë raporte mbi diabetin, ata tashmë janë të vjetëruara pasi sëmundja është përhapur me rritme edhe më të shpejta”, deklaroi epidemiologjistja Leonor Guariguata.
Diabeti është duke goditur rëndë edhe fëmijët, me dhjetëra mijë të prekur çdo vit, ndërsa kostoja e përgjithshme globale gjatë 2013-s përllogaritet në 550 miliardë dollarë.
Top Channel