
Përfaqësuesit e importuesve të cigareve i kërkuan Komisionit të
Veprimtarive Prodhuese rishikimin e koncensionit të pullës fiskale, duke
shprehur shqetësimin lidhur me çmimin e lartë që paguajnë për këtë
shërbim.
“Në Shqipëri prodhuesi i duhanit apo distributorët paguajnë një çmim që është 20 euro për një mijë copë. Nuk po shkoj më larg, por po marr rastin e Kosovës, ku vlera e kësaj pulle fiskale shkon më shumë se dy euro për një mijë copë. Flasim për një ndryshim çmimi 10 herë”, thotë Florion Pustina, përfaqësues i Importuesve të Cigareve.
“Çfarë të mire ka prodhuar ky koncesion për interesin publik? Janë rritur të ardhurat? Eshtë luftuar kontrabanda? Mesa duket nuk rezulton kështu. M’u duk tërësisht absurd ndryshimi midis 2 euro për 1 mijë copë dhe 20 euro për 1 mijë copë që na u aplikoka në Shqipëri”, tha Eduart Shalsi, kryetar i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese Kryetar
Një tjetër shqetësim i ngritur nga përfaqësuesit e importuesve të cigareve është praktika e ndjekur deri më tani për rritjen e akcizës, sipas një plani të pacaktuar.
“Nëse ne mendojmë që akciza duhet rritur, Qeveria dhe Parlamenti e mendojnë kështu, duhet të bëjmë një planifikim dhe një rritje graduale të kësaj akcize, duke menduar që sot jemi në nivelin 70 lekë, në 2017 duhet të jemi kaq lekë dhe në vitet në vazhdim po ashtu në rritjen e caktuar”, thotë Vilma Nushi, përfaqësuese i Importit të Cigareve.
Për deputetët e opozitës një rritje e mundshme e akcizës do të shkaktonte rritje të kontrabandës së këtij malli.
“Unë do të isha i mendimit që nuk duhet ngritur. Jemi në atë prag, kur menjëherë mund të nisë të shtohet kontrabanda, për më tepër që duhet ta shohim edhe me vendet fqinje. Ata e kanë rritur kohët e fundit, por patëm ne diferenca të mëdha, kontrabanda do të vijë tek ne dhe jo në krahun e kundërt”, tha deputeti Genc Ruli.
Top Channel