KLSH: Të disiplinohen shpenzimet e BSH

13/11/2013 00:00

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj i ka kërkuar Parlamentit që të ndërhyjë për të disiplinuar shpenzimet e larta të zyrtarëve në Bankën e Shqipërisë.

“Komisioni i ligjeve dhe Kuvendi duhet ta trajtojnë këtë çështje me përparësi. Të bëhen ndryshimet e nevojshme ligjore, jo vetëm në respekt të punonjësve të shtetit dhe të BSH, por mbi të gjitha në respekt të ndjeshmërisë së qytetarëve”, deklaroi Leskaj.

Në raportin vjetor që paraqiti në komisionin parlamentar të ekonomisë, zoti Leskaj ka prekur dhe çështjen e garancisë për tenderin e Albpetrol, që sipas tij i ka shkaktuar buxhetit 85 milionë euro dëm.

“Unë di që kjo çështje është në hetim nga prokuroria dhe në momentin që është nën hetim ajo është jashtë kompetencave të mia. Detyra ime është t’i konfirmoj prokurorisë që ky është një dëm ekonomik”, nënvizoi Leskaj.

Ndërsa ministri i Financave, Shkëlqim Cani deklaroi se në këtë mashtrim përgjegjësi ka dhe firma e huaj që këshilloi qeverinë.

“Nga dijenitë e mia nuk është vetëm pala shqiptare, por edhe një garanci nga një kompani e huaj që tha se gjithçka është e sigurtë. Në këtë drejtim ne nuk e kemi lënë çështjen në heshtje por e kemi ngacmuar në atë drejtim që e ka dhe KLSH”, deklaroi Cani.

“Vetro Energy”, kompania që ofroi çmimin më të lartë në tenderin e dështuar të Albpetrol, duhet të kishte derdhur për llogari të qeverisë 85 milionë euro. Por shuma nuk u arkëtua asnjëherë edhe pse “VE” nuk arriti ta bënte pagesën.

Top Channel