
Ministri i Financave Shkëlqim Cani akuzoi paraardhësin e tij demokrat
Ridvan Bode se ka manipuluar shifrat e buxhetit, duke e zhytur ekonominë
kombëtare në krizë.
“Borxhi i raportuar në buxhet me evidencat e vitit 2012, asnjëherë nuk ka qenë real, por me të është mashtruar, më së paku një borxh në nivelin 500-700 milionë dollarë nuk është raportuar dhe ky me urdhër të vetë ish-ministrit të Financave, i cili ka falsifikuar realitetin”, u shpreh Cani.
“Zoti ministër, ju nuk mund të thoni atë që ka ndodhur në vitin 2012, sepse gjunjët tuaj janë shumë të dobët për të mbajtur peshën e asaj që ke marrë përsipër. Ministria e Financave është drejtuar nga ekspertë dhe të jesh i bindur që nuk ka urdhra të ministrit në Ministrinë e Financave, urdhër aty është vetëm ligji. Të jesh i bindur që nuk ka shkelje të asnjë ligji, të asnjë rregulli dhe të asnjë morali”, tha Bode.
Ish-kryefinanciari i djathtë është përgjigjur me të njëjtën mënyrë, kur e akuzoi ministrin Cani për të shkuarën e tij.
“Unë kam qenë dhe mbetem këtu dhe do të jem këtu dhe nuk i takoj atij grupi që ikin në mal dhe zbresin nga mali sa herë që ndryshon bëhet interesant kursi i këmbimit i ‘exchange-ve’ private, apo çmimi i patateve në tregun e politikës”, tha Bode.
“Ti vazhdo në rrugën tënde, por mbreti lakuriq është prapë. E shohin të gjithë përvec teje që po del nëpër rrugë pa e kuptuar. Ka shkelur dy herë ligjin pa ndryshuar ligjin, edhe për borxhin e ka tejkaluar, kur kishte kufi dhe po i them edhe me deficitin primar nuk është në rregull”, tha Cani.
Top Channel