Nga Ilir Yzeiri – Sa herë vjen muaji nëntor unë ndiej një lloj shqetësimi gati të pakuptueshëm. Vjeshta, ashtu si pranvera, ndryshon klimën, ul temperaturat ose në vend që t’i ulë, i ngre ato dhe krijon diferenca nganjëherë të papërballueshme për shëndetin.
Njeriu postmodern e ka ridimensionuar raportin e tij me natyrën dhe emocione të tilla si rënia e gjetheve në vjeshtë apo ngjyra e portokallinjtë e bimësisë, nuk e prekin më shpirtin e ndotur të njeriut postmodern, sepse formë e ekzistencës së tij, në të shumtën e rasteve, nuk është refleksioni, por veprimi, aksioni. Mund ta vijoja këtë arsyetim edhe për pranverën, por argumenti që dua të ndaj këtë herë me lexuesit e mi është një tjetër.
Në Shqipëri, kur vjen vjeshta apo kur hyn sidomos muaji nëntor, autorë gjithfarësh nisin të tregojnë librat që kanë botuar. Dua të shpall që në fillim se botimi i një libri është një ngjarje e rëndësishme për cilindo autor, është një ngjarje edhe për shoqërinë, por është gjithashtu edhe një ndihmë për kulturën. Kështu duhet të ndodhë në një vend normal. Mirëpo në Shqipëri, për fat të keq, nuk ndodh kështu. Në Shqipëri, botimi i një libri, në disa raste shihet si një formë agresive e imponimit dhe e shfaqjes së mediokritetit kolektiv. Sot, shqiptarët lidhen apo komunikojnë me njëri-tjetrin me anë të një ndërmjetësi. Ky ndërmjetës është media, por mund të jenë edhe sallat e konferencave shkencore, tubimet kulturore, takimet e atij që boton një libër me lexuesit e tij, etj.
Në ndonjë rast, siç është fjala për shkrimtarin tonë të madh Ismail Kadare, nuk është nevoja për asnjë ndërmjetës, sepse vetë autori i madh është një medium i përmasave të mëdha dhe mjafton njoftimi që Kadare ka botuar një libër dhe lexuesit e shumtë në numër shkojnë dhe e marrin atë libër dhe nisin të komunikojnë me shkrimtarin pa qenë nevoja për ndonjë ndërmjetës tjetër. Ndaj Kadareja del rrallë në TV, jep rrallë intervista. Kjo ndodh sepse ai vetë është një supermedium. Mirëpo, në shoqëritë e prapambetura ku sundon llumi mediokër mediatik, libri mund të bëhet një formë e ndotjes kulturore dhe një lloj agresioni intelektual.
Kush nuk e ka vënë re këto ditë se një personazh femër që ka botuar një libër shëtit nga një studio televizive në tjetrën pa e ditur edhe ajo vetë se përse. Nuk kam ndërmend as të përmend titullin e librit që ka shkruar ajo, as atë vetë sepse do të ishte e tepërt dhe do të krijonte një shtojcë të panevojshme në ambalazhimin e atij malli që ajo, ndoshta edhe pa dëshirën e saj, po e shëtit në të gjitha studiot televizive. Kam dëshirë të prek një temë tjetër. Në këtë mënyrë, pra duke ia përplasur në fytyrë publikut një mall që është i dyshimtë qysh në fillim, sepse profili i autorit është shfaqur në publik me një anë thellësisht mediokre, mediat këtu te ne nuk bëjnë gjë tjetër por ritheksojnë edhe një herë e më shumë se ato po bëhen nga dita në ditë vitrina të mërzitshme dhe të neveritshme nganjëherë të propagandimit të mediokritetit tonë kulturor.
Ne kështu po krijojmë modelin e një shoqërie që nuk ka memorie, që nuk ka të shkuar, që nuk ka histori, por që përbëhet vetëm nga disa sharlatanë mjeranë, të cilët pasi kanë zaptuar hapësirat e ndërmjetësit publik, të medias, pra, dhe duke qenë larg çdo filtri kritik, i paraqiten shoqërisë si modele të mendimit intelektual e kulturor. Për fat të keq, kjo është një dukuri planetare. Thuajse në të gjitha vendet perëndimore televizioni shihet si një rrënojë e identitetit kulturor dhe si një gjenerator i kulturës turbo-pop. Prej kohësh, në vende të qytetëruara TV-të, gjithnjë e më shumë, po injorohen nga publiku dhe ato po specializohen vetëm për shtëpiaket.
Në pjesën më të madhe të programacionit, këto mediume bëjnë kujdes që të kënaqin shijet e këtij target-grupi, ndaj telenovelat janë me shumicë, lojërat me shpërblime parash apo zbavitje të tjera që kënaqin shijet e një publiku të caktuar zënë po ashtu një vend të madh. Gjithnjë e më shumë, në vendet e qytetëruara, institucione të tjera kanë marrë peshën e vërtetë të promovimit dhe të ruajtjes së kulturës, të shëndoshjes së memories kolektive. Universitetet, shtëpitë e mëdha Botuese apo Institucionet kulturore janë ende roja të kësaj pasurie. Ndërsa te ne, për fat të keq po vijohet me modelin më të shëmtuar të mundshëm. Ajo frenezi dhe ajo kakofoni që ti e ndesh në rrugë ku kalojnë BMË apo Audi të 2013-s bashkë me karro apo me motoçikleta që transportojnë kanoçe në qendrat e grumbullimit të hekurishteve, po ajo mizerie, po ai kontrast i frikshëm ndeshet edhe në lëmë të kulturës.
Shqiptarët nuk kanë institucione të besueshme që të verifikojnë shijet e tyre ndaj dhe rrinë gjithë ditën para televizorit dhe janë të detyruar të dëgjojnë marrëzitë e gjithë mediokërve që i bashkon filli i tyre mesatar për t’iu shitur këtij mileti si njerëz që japin mendime, si për shërimin e majasëllit, ashtu edhe për konfliktin në Oseti. Pastaj, pa mbaruar ky arsyetim, nga kjo skotë njerëzish shkëputet ndonjë dhe të tregon edhe librin e fundit që ka botuar, duke e paraqitur si ato reklamat e të brendshmeve që bëhen në çdo stacion televiziv pas orës 22:00.
Shqiptarët kanë një problem të madh me veten dhe ky problem është imponimi. Ata duan me çdo kusht jo të ndërtojnë diçka për vendin e tyre, por të tregojnë qoftë edhe me arrogancë e me dhunë se janë më të mirët, se janë ata që duhet të zaptojnë qendrën. Problemi i qendrës në komunikimin njerëzor dhe në marrëdhëniet njerëzore është më i vështiri. Ai përcakton si qendërzimin ashtu dhe shqendërzimin, si ankorimin ashtu edhe çankorimin. Mirëpo, shqiptarëve nuk u intereson dija, atyre u intereson një libër i ambalazhuar me një letër të çmuar dhe me një emër institucioni që po kërkon të imponohet jo për atë që bën, por për atë që mund t’i bëjë të tjerët të duken si të zgjuar. Kaq, dhe pastaj shëtitja nga një studio në tjetrën dhe suksesi është garantuar.
Ndërkaq, unë rri e mendoj se si ka mundësi që libri i Andrea Stefanit “Komploti kundër lirisë”, që po ribotohet sepse u shit brenda një kohe të shkurtër, nuk u shfaq pothuajse në asnjë studio televizive, pse librat e Ardian Vehbiut apo libri “Skënderbeu” i Aurel Plasarit kalojnë thuajse pa u vënë re nga media. Mirëpo ato dhe librat e disa autorëve të tjerë kanë fatin se shkojnë te lexuesi me këmbët e tyre. Ndaj për ta mbyllur, doja të përsëritja atë frazën e fillimit, që është marrë nga ligjërimi i kujdesit shëndetësor por që shkon edhe në këtë rast: “Ruhuni nga librat!” sidomos nga ata libra që t’i tregojnë moderatorët e televizorëve, sikur të ishin kanaçe me “Red Bull”.
Top Channel