Policia e Tetovës ka zbuluar një punishte për falsifikimin e diplomave të Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT), të përgatitura për shtetas të huaj kryesisht italianë.
Në një aksion të ndërmarrë nga policia, pas njoftimeve paraprake, është ndaluar një person 30-vjeçar me inicialet M.O. nga fshati Sellcë i Tetovës.
Njësitë policore, gjatë bastisjes në shtëpinë e të ndaluarit, kanë gjetur një diplomë të USHT-së me emrin e një shtetasi italian dhe dokumente të tjera të disa shtetasve italianë e kroatë.
“30-vjeçari M.O. nga Sellca e Tetovës dyshohet se ka falsifikuar më shumë diploma, për studime të kryera në Fakultetin e Mjekësisë, në emër të shtetasve të huaj. Të njëjtat, pasi i ka përkthyer te përkthyesit e autorizuar, i ka dërguar për noterizim te noteri. Nga të njëjtat ka arritur të noterizojë gjashtë çertifikata, ndërsa 16 prej tyre nuk i ka noterizuar noteri, sepse ka dyshuar në origjinalitetin e të tyre”, tha Shefik Bajrami, kryeshef i SPB-së, Tetovë.
Nga policia nuk përjashtojnë lidhjen e një profesori të Universitetit Shtetëror të Tetovës, me personin që dyshohet se ka falsifikuar diplomat. Rektori i USHT-së, Vullnet Ahmeti, ka inkurajuar organet e hetuesisë dhe policinë, që të zgjerojnë hetimet dhe të nxjerrin para ligjit, të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë skandal.
“Ne dëshmojmë se jemi të vendosur të luftojmë me çdo kusht, çdo lloj forme të falsifikimit, korrupsionit, abuzimit dhe keqpërdorimit në universitetin tonë, qoftë kur një veprim i tillë kryhet nga persona jashtë apo brenda universitetit”, tha Vullnet Ahmeti, rektor i USHT-së.
Sipas burimeve policore, personi i ndaluar kishte përfituar nga një diplomë false rreth 25 mijë euro.
Top Channel