Vampirët e parë ishin serbë. Në këtë përfundim ka mbërritur gazetari dhe studiesi amerikan, David Ono, që ka udhëtuar në dhjetra vende të botës në kërkim të legjendave me “gjakpirës”.

Ai thotë se legjendat me vampirë nuk nisin në vitin 1897 me romanin “Dracula” të Bram Stokes, madje nuk nisin as në Transilvani në Rumani, por kanë nisur një shekull më parë dhe në Serbi.

Vampiri i parë sipas Ono-s është varrosur në një varrezë të izoluar në Kisiljevo të Serbisë. Në këtë varrezë gjenden dhjetra pllaka pa mbishkrime, pa identitetin e personave që janë varrosur në to. Gazetari amerikan thotë se pak e dinë historinë e këtyre varrezave. Ai thotë se emri i vampirit të parë ka qenë Petar Blagojeviç, për të cilin shkrimet e viteve 1720 thonë se “do të ngrihet nga varri dhe do të gjuajë njerëzit”.

Studiuesi amerikan ka hulumtuar më tej duke dashur të zbulojë se cfarë nxiti banorët e këtij lokaliteti të vogël dhe të izoluar serb që besonte dhe ende beson tek vampirët. Ai zbuloi se përgjegjës për këtë ishte një kirurg ushtarak austriak, i quajtur Johann Fluckinger. Në vitin 1732 Fluckinger mbërriti në zonë së bashku me një njësi ushtarake për të mbledhur dëshmi të ekzistencës së vampirëve.

Në raportin e tij ai përshkruan me detaje se si kishte urdhëruar djegjen e trupave që dyshoheshin si “gjakpirës”. Ai thotë se “kishte parë vetë me sytë e tij krijesa të tilla”, ndërsa përmend për herë të parë fjalën “vampir”.

Top Channel