As pas pushimit gati një mujor, Kuvendi i Kosovës nuk mundi të marrë vendim për themelimin e komisionit hetimor për privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Kjo, pasi pozita këmbëngul që Kuvendi, fillimisht të miratojë raportin për privatizimin e PTK-së, e më pas të ngrihet edhe komisioni për hetimin e këtij procesi. Një kërkesë e tillë ishte e papranueshme për Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila kërcënoi se do ta braktisë sallën.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje e sheh si të domosdoshme formimin e komisionit hetimor, para se të votohet për raportin e komisionit qeveritar për privatizimin e PTK-së.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ripërsëriti qëndrimin e saj, se është edhe për privatizimin e PTK-së, por edhe për hetimin e këtij procesi.

Sidoqoftë, në këtë situatë, Kuvendi i Kosovës nuk mundi t’i vazhdojë punimet. Këmbëngula e pozitës, për ta votuar raportin e qeverisë për privatizim, bën që, pas tridhjetë minutash pushim, deputetët e tri subjekteve opozitare të mos kthehen fare në seancë.

Privatizimi i PTK-së, aktualisht është në fazën kur duhet të nënshkruhet kontrata me blerësin. Por, Kuvendi i Kosovës, për shkak të ankesave dhe dyshimeve ndaj këtij procesi, ende nuk e ka miratuar raportin qeveritar për privatizim, çka e bën shitjen e PTK-së automatikisht të paligjshme.

Ngritja e një komisioni hetimor është parë si zgjidhje nga ana e opozitës, por edhe kjo ka hasur në vështirësi për shkak të bllokadës së partive në pushtet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA