“E urrej të shkoj në shtrat natën”, familja Osbourne rrëfen dhimbjen pas vdekjes së Ozzy-t Etleva Demollari ka vetëm 5 vjet që është pjesë e Muzeut Historik Kombëtar, megjithatë ajo është një nga vajzat që nuk do të largohet më nga ky profesion.
“Fillova punë krejt rastësisht. Muzeu kishte nevojë për një cicerone për gjuhët e huaja dhe duke qenë se zotëroj frengjishten, italishten, anglishten dhe rumanishten më ofruan këtë punë”, thotë Etleva.
Shoqëron kryesisht të huaj ose grupe të mëdha që janë të interesuar të kenë më shumë informacione për çdo objekt të ekspozuar që shohin, megjithatë disa nga vizitorët e saj më specialë kanë qenë familjarët e saj.
Gjatë këtyre viteve kanë qenë të shumta historitë e ngjarjet që ka dëgjuar ndër të cilat kujton një moment të veçantë: “Më kujtohet një vajzë shqiptare që do të martohej me një djalë të huaj dhe erdhi bashkë me krushqit për të vizituar muzeun.”
Tregon se ka shumë raste kur vizitorët kthehen disa herë e madje ka edhe nga ata të cilët përpiqen të japin kontributin e tyre modest duke rrëmuar për të gjetur materiale me vlerë për muzeun.
“Kam mbledhur disa fotografi të periudhës ’40-’43 që kanë të bëjnë me Shqipërinë dhe sa herë që kam gjetur objekte të tilla i kam ruajtur për t’i sjellë në muze”, thotë italiani Giorgio.
Siç i thërrasin të gjithë kolegët e saj, Eva është një nga ciceronet më të përkushtuara që përpiqet të marrë sa më shumë informacione e të jetë sa më e përgatitur përpara dashamirësve dhe të apasionuarve pas historisë së Shqipërisë: “Jam dashuruar me këtë punë tashmë.”
Një ditë pushimi me Anila Drobonikun, ciceronen e muzeut “Onufri”
Janë mbushur plot 26 vjet nga dita e parë që Anila Droboniku është cicerone e muzeut “Onufri” në Berat.
“Sapo kisha mbaruar Shkollën e Mesme Artistike për pikturë dhe nuk konkurrova në Akademinë e Arteve, por ndryshova rrjedhën e jetës”, tregon Anila.
Në vitin 2010 është shpallur njeriu i vitit, ka pritur e ka përcjellë jo vetëm njerëz të thjeshtë, por edhe kryeministra e presidentë. Për të qëllimi ka qenë vetëm një: çdo individ të mbajë mend diçka nga ky muze.
Historitë që ka dëgjuar e përjetuar gjatë këtyre viteve kanë qenë nga më të ndryshmet e më të çuditshmet. Sot, i kujton buzagaz e plot emocion.
Në një ditë pushimi Anila merret me punët e shtëpisë e të rregullojë gjithçka mundet, ndërkohë përpiqet t’i gëzohet edhe shoqërisë së të ëmës, këput disa fruta të freskëta nga pemët e kopshtit e ulet të bisedojë me Aleksandrën. Megjithatë, nëna e saj na tregon për planet e saj me të bijën.
“Edhe një ditë pushimi që ka nuk bëjmë dot plane pasi marrin në telefon grupe të ndryshëm turistësh”, thotë nëna.
Aurora dhe Anila janë 2 nga mikeshat e saj të cilat pavarësisht se e vlerësojnë shumë shoqen e tyre, gjejnë rastin për të shprehur ato pakënaqësitë e tyre të vogla me shpresën për të ndryshuar diçka: “Vetëm në punë mund ta takosh Anilën pasi nuk ka kohë fare.”
Kurse Miranda sjell ndër mend momentet e para të takimit me Anilën: “Kur kam vizituar për herë të parë muzeun më bëri përshtypje pasioni i saj për punën.”
Një nga personat më besnikë të muzeut, që nuk le rast ta vizitojë sa herë t’i jepet mundësia, është Kozma Nova: “Nuk ngopem kurrë duke vizituar kalanë. Për një muaj e vizitoj 2-3 herë.”
Një nga momentet më të veçanta që Anila kujton është vizita e Xhorxhos: “Isha shtatzënë atëherë, nuk e dija nëse ishte djalë apo vajzë dhe ai më tha që do të lindja djalë.”
Ja çfarë tregon vetë zotëria që gjithmonë e ka uruar në ditën e lindjes së djalit të saj: “Kur u ktheva në Tiranë bëra të pamundurën për të shkuar në Berat për të takuar Anilën dhe familjen e saj.”
Historitë e vajzës së lindur në kalanë e Beratit janë të shumta, por ajo ka një ide shumë të qartë për rolin e saj në muze: “Të jesh cicerone nuk është e lehtë. Është si të jesh një ambasadore e vendit tënd brenda vendit tënd.”
Kujdestari dhe ciceroni i kështjellës së Porto Romanos
Klearko nuk e ka menduar asnjëherë të largohet nga vendlindja e tij, nga shtëpia përballë kështjellës së Ali Pashës në Porto Palermo.
Që në fëmijëri ka qenë vizitor i këtyre mureve të gurta, por para 7 vitesh mori përsipër detyrën për të qenë kujdestar i kështjellës.
“Fillimisht isha mirëmbajtës, por vinin shumë turistë që pyesnin dhe duhej një cicerone”, thotë Klearko.
Me kalimin e kohëve ai është bërë kurioz e pavarësisht se nuk ka studiuar për histori, ka tentuar të mbledhë dokumenta e është përpjekur të lexojë e të deshifrojë çdo shkrim të lënë brenda mureve si dëshmi e gjallë e çdo gjëje që ka ndodhur aty.
“Marr të dhëna nga arkeologu i fshatit ose nga personat që kanë qenë të internuar këtu”, shpjegon ciceroni.
Pa u lodhur dhe pa marrë parasysh vështirësitë, ai ruan atë ç’ka mbetur dhe shoqëron çdo vizitor të huaj dhe shqiptar duke iu treguar gjithçka di.
Është i martuar, ka tre vajza të rritura që jetojnë së bashku në Greqi, por ai ka zgjedhur të mos e braktisë Shqipërinë duke thënë “dhe sikur me ar të ma shtrojnë rrugën, unë nuk jetoj dot atje”
Top Channel