Fillimi i ndërtimit të TAP-it

07/11/2013 00:00

Qeveria shqiptare ka kërkuar angazhimin e kompanive lokale për kryerjen e
punimeve në infrastrukturën paraprake të gazsjellësit Trans Adriatik.

Gjatë një takimi me drejtorin teknik të projektit, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto tha se kompanite shqiptare kanë ekspertizën e nevojshme për t’u angazhuar në punimet e projektit.

Por sipas drejtorit teknik të ‘TAP AG’, nëse do të jetë e nevojshme, disa prej tyre do të trajnohen me qëllim që të përdoren sa më shumë burime lokale.  

“Per TAP-in kjo eshte një fazë shumë e rëndësishme sepse ne po kalojme nga faza e planifikimit ne ate te ndertimit. Po punojmë për të përgatitur nisjen e ndërtimeve. Kjo do të thotë se po bëhemi gati për fazën e tenderimit apo kontraktimit të firmave për ndërtimin”, thotë Sigurd Hamre, drejtor Teknik i TAP AG..

Ndërkohë në terren vijon konsultimi me pronarët e tokes ku do të kalojë gjurma e gazsjellësit.

“Një tjetër fazë e rëndësishme për ne është të marrim akses në tokë përgjatë gjurmës dhe ky është një proces i ndarë. Ne synojmë të negociojmë me të gjithë pronarët e tokës ku do të kalojë gazsjellësi”, theksoi Hamre.
 
Ndërtimi i gazsjellësit është parashikuar të nisë në vitin 2015 dhe të përfundojë në janar të 2019-ës. Sipas projektit, në Shqipëri tubacioni do të kalojë në 38 komuna dhe bashki të vendit, të shtrira në disa rrethe. Kompanite aksionere te TAP jane British Petroleum, SOCAR, Statoil, Fluxys (Fluksis), Total, E.ON dhe Axpo.

Top Channel