Zgjedhjet e 3 nëntorit rrezikojnë ta përmbysin pushtetin e shqiptarëve në Komunën e Artanës (Novobërdës), duke bërë të mundur që serbët të qeverisin këtë komunë.

Kjo, falë ligjit dhe rregullave zgjedhore, të cilat lejuan që serbët të vijnë nga Serbia dhe, me çfarëdo lloj dokumenti, të votojnë edhe në Artanë, pa harruar këtu procesin e decentralizimit, i cili i bashkoi Artanës 17 zona kadastrale të banuara me popullsi serbe.

Kandidati nga radhët e LDK-së, Bajrush Ymeri, kryetar i komunës prej vitit 2007, fitoi shumicën e votave në raundin e parë, por kjo nuk do të thotë se mund ta bëjë edhe në të dytin. Përballë tij është serbi Svetislav Ivanovic, i cili, nëse hyn në koalicion të gjërë me kandidatët e tjerë serbë, del fitues. Një matematikë e thjeshtë e rezultatit për Artanën tregon se, nëse votat e kandidatëve serbë bashkohen bëjnë 61 për qind.

Një çështje tjetër shqetësuese për Ymerin janë thirrjet nacionaliste, që bëri Beogradi zyrtar në favor të “Listës Serbe” dhe kandidatit Svetislav Ivanovic. Ashtu siç është edhe spoti publicitar i tij, që sot të votohet për këtë listë dhe nesër të punohet për Serbinë.

Sipas Bajrush Ymerit, kjo qasje do të rrënojë bashkëjetesën mes komuniteteve, të ndërtuar prej vitesh. Ndërsa, i gjithë plani konsiston në përpjekjet për të zgjeruar rrjetin e komunave me shumicë serbe, të cilat do të hyjnë në Asociacionin e Komunave Serbe.

I prekur, siç duket, më së shumti nga këto zgjedhje, Ymeri thotë se para dy ditësh ka mësuar arsyen e vërtet të caktimit të datës 3 nëntor për zgjedhjet.

“Serbët në dy nëntor kanë një festë, ku nderojnë të vdekurit dhe kanë shfrytëzuar rastin për të ardhur edhe për të votuar”, tha Bajrush Ymeri.

Sipas të dhënave zyrtare, Serbia solli në mënyrë të organizuar vetëm në Artanë rreth 1200 serbë, duke bërë që numri i atyre që morën pjesë në zgjedhje të shkojë në 3500, dukshëm më i lartë se i shqiptarëve. Nëse Artana merret nga serbët, atëherë numri i komunave që hyjnë në Asosacionin e Komunave Serbe mund të shkojë në 10.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA