“Të zbatohet Marrëveshja e Ohrit”

06/11/2013 00:00

Për Shqipërinë raportet me Maqedoninë dhe integriteti i territorial i këtij vendi kanë rëndësi të veçantë.

Kështu është shprehur në Shkup Kryeministri shqiptar Edi Rama, pas takimit me homologun e tij maqedonas Nikolla Gruevski. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Rama u shpreh se Marrëveshja e Ohrit duhet të shërbejë si pikë referimi për gjithë procesin e brendshëm politik në Maqedoni.

Kryeministri shqiptar tha se i përcjell me shqetësim rastet e dhunshme që shfaqen në Maqedoni, ndërsa porositi që e ardhmja e vendit të ndërtohet në mënyrë të përbashkët.

“Se e ardhmja është e përbashkët dhe se bashkarisht do ta ndërtojmë të ardhmen, në këtë rajon, por edhe në këtë vend, ku shqiptarët janë një pjesë shtetformuese dhe ku shqiptarët janë të angazhuar në gjithë procesin politik, janë të organizuar dhe të përfaqësuar edhe në Qeverinë e sotme të Maqedonisë dhe ku shqiptarët janë të interesuar që Marrëveshja e Ohrit të zbatohet dita-ditës me sa më shumë rigorozitet dhe sa më shumë sukses”, u shpreh Rama.
 
Rama dhe Gruevski gjatë takimi të përbashkët kanë shkëmbyer ide për avancimin e mëtejmë të raporteve bilaterale dhe bashkëpunimin në të gjitha sferat. Dy kryeministrat u zotuan për mbështetje të ndërsjelltë në proceset integruese dhe përsëritën se Bashkimi Evropian qëllimi strategjik i dy vendeve.

“Theksuam nevojën për vazhdimin e zbatimit të mëtejshëm të politikave të zgjerimit të BE-së me vendet e rajonit që është shumë e rëndësishme për përparimin e përbashkët. Për bisedat në raportet bilaterale vlerësuam bashkërisht se ekziston vazhdimësia e dialogut politik, respekti dhe besimi i ndërsjelltë, si dhe bashkëpunimi i mirë në planin rajonal. U përqendruam edhe në nevojën për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, në instratrukturën rrugore dhe hekurudhore, si dhe në shumë projekte nga sfera e energjisë dhe lidhjeve energjetike”, u shpreh Gruevski.

Duke folur për stabilitetin e rajonit, kryeministri shqiptar tha se pret që viti 2014 të jetë do të jetë viti i parë në histori pa konflikte.

“Është e para vigjilie e vitit të ri, ku cdonjëri do të jetë në shtëpinë e tij dhe nuk do të ketë pushkë të drejtuar kundër fqinjëve. Paqja në rajon ka hyrë në një proces tërësisht të ri me marrëveshjen mes qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Serbisë dhe për ne kjo është një dritare e re mundësish për zhvillim rajonal, ekonomik dhe social”, theksoi Rama.

Kryeministri shqiptar u prit edhe nga presidentit Gjorgje Ivanov dhe kryeparlamentari Trajko Veljankovski, ndërsa ditën e parë të vizitës, të martën e shfrytëzoi për një takim të përbashkët me dy liderët politikë shqiptarë të Maqedonisë, Ahmetin e Thaçin.

Rama takon Ahmetin dhe Thaçin
Kërkon bashkëpunimin e tyre për të avancuar pozitën e shqiptarëve

Pas takimeve në Shkup, me krerët shtetëror maqedonas, kryeministri Rama ka takuar në Tetovë liderët e partive shqiptare. Fillimisht ndaloi te selia e PDSH-së opozitare, ku kreu i kësaj partie e njoftoi me qëndrimet e tij lidhur me pozitën e shqiptarëve në Maqedoni.

“Unë përmenda se, ne jemi tërësisht të pakënaqur si parti, me shkatërrimin e plotë që i bëri qeveria  ‘Marrëveshjes së Ohrit’ dhe, në të njëjtën kohë, me një fenomen të ri, të prekshëm tashmë, varfërimin  e shqiptarëve në mënyrë institucionale, që bën qeveria”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Ndryshe nga Thaçi, kreu i BDI-së në pushtet, Ali Ahmeti, i ka thënë Ramës se “Marrëveshja e Ohrit” po zbatohet, edhe pse disa çështje që burojnë nga ky dokument ende ngelin të hapura.

“I bëra shpjegimet e duhura në drejtim të materializimit të ‘Marrëveshjes së Ohrit’ dhe çështjeve të hapura që kanë mbetur, por që burojnë nga ‘Marrëveshja e Ohrit’, siç është gjuha shqipe, që akoma kemi dallime për materializim të tërësishëm”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Nga ana e tij, Rama inkurajoi liderët e BDI dhe PDSH të forcojnë bashkëpunimin mes dy forcave politike, për të avancuar pozitën e shqiptarëve në Maqedoni, por duke ruajtur identitetin dhe pozicionet e tyre.

“Jemi në një mendje të gjithë së bashku, pavarësisht qasjeve natyrshëm të dallueshme mes opozitës dhe pjesës që sot përfaqëson shqiptarët në qeveri, për domosdoshmërinë e një avancimi më të shpejt dhe më cilësor në jetësimin e plotë të ‘Marrëveshjes së Ohrit’ dhe forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve”, u shpreh Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Ndërkohë, edhe të mërkurën kanë vazhduar debatet për pritjen e z. Rama në Maqedoni. PDSH reagoi edhe një herë për mungesën e flamurit kombëtar nëpër rrugët e Shkupit dhe para institucioneve të vendit, gjatë vizitës së kryeministrit shqiptar.

Por, këto pohime të partisë opozitare i ka hedhur poshtë qeveria, përmes një komunikate për shtyp, ku thuhet se z. Rama u prit në Shkup me të gjitha nderimet e larta shtetërore dhe sipas procedurave që parasheh protokolli diplomatik.

Top Channel