Humb 300 kilogramë për të gjetur grua

06/11/2013 09:35

Paul Mason u bë i njohur për botën si njeriu më i shëndoshë i planetit, me një peshë të përgjithshme prej 450 kilogramësh.

Megjithatë, jeta e amerikanit që konsumonte 20 mijë kalori në ditë ka ndryshuar ndjeshëm që prej atëherë.

Pas një ndërhyrje që i hoqi një pjesë të stomakut, duke kufizuar aftësinë e tij për të ngrënë dhe përpunuar kaloritë, Mason ka humbur plot 300 kilogramë.

Ndonëse ende dukshëm obez, me tre kuintalë më pak, Mason ka fituar sërish vetëbesimin në aftësitë e tij fizike dhe tashmë ka një femër përkrah në jetën e tij.

Në një emision televiziv në SHBA, 52-vjeçari Mason dëshmoi se kishte njohur një grua të quajtur Rebecca Mountain nëpërmjet bisedave në “Facebook” dhe se tashmë ata po ndërtojnë plane për të ardhmen.

”Kam shumë energji në rrugën që kam nisur dhe shumë letra inkurajuese më mbërrijnë përditë, ndaj ndiej presionin që të mos zhgënjej as njerëzit e tjerë që kanë besim tek unë. Dua të vazhdoj të dobësohem dhe të bëj një jetë normale si të gjithë”, komentoi Mason.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA