SHBA: Asnjë tolerim për Snowden

04/11/2013 15:10

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura që të mos tolerojnë me Edward Snowden, i shumëkërkuari nga drejtësia amerikane për spiunazh, pasi njoftoi botën për programin e shumëpërfolur të përgjimeve telefonike dhe kibernetike.

“Snowden shkeli ligjin amerikan. Ai duhet të rikthehet në vend për t’u përballur me drejtësinë”, deklaroi këshilltari i Shtëpisë së bardhë, Dan Pfeiffer.

Javën e kaluar, Snowden kërkoi ndihmë ndërkombëtare për të bindur Uashingtonin që të tërhiqet nga akuzat e ngritura ndaj atij, në një letër dorëzuar një ligjvënësi gjerman.

30-vjeçari, ish-punonjës i CIA-s dhe NSA-së ndodhet aktualisht në Rusi, ku i është akorduar statusi i përkohshëm i azilantit politik.

Në një lëvizje të papritur diplomatike gjatë javës së shkuar, një deputet gjerman udhëtoi në Moskë ku u takua me Snowden dhe i shprehu atij gatishmërinë e Berlinit për t’u angazhuar në bisedime direkte me të në lidhje me programin e përgjimeve.

Marrëdhëniet e Gjermanisë me SHBA-në janë dëmtuar ndjeshëm nga skandali i demaskuar fale ndihmes se Snowden, pasi u mësua që midis të tjerave, Uashingtoni kishte përgjuar edhe celularin privat të kancelares Merkel.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA