Kolumbi, sekuestrohen 1,5 tonë kokainë

04/11/2013 16:00

Marina kolumbiane arriti të sekuestronte 1,5 tonë kokainë nga një skaf që po lundronte në Karaibe, raportuan të hënën mediat ndërkombëtare.

Aksioni i ushtrisë u realizua pas një sinjalizimi të dhënë nga Agjensia Amerikane e Anti-Drogës. Autoritetet kolumbiane raportuan se skafi u ndalua në afërsi të qytetit verior të Manaures, rrugës për në Republikën Domenikane.

Ndalimi i mjetit lundrues u realizua në ujrat ndërkombëtarë. Katër shtetas venezuelianë dhe një kolumbian u arrestuan me akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike e iu dorëzuan policisë amerikane në Florida.

Sasia e sekuestruar e drogës është një prej më të mëdhave të zbuluara ndonjëherë. Ajo besohet se i përkiste klanit Los Urabenos, i cili vepron në veri të Kolombisë dhe në treg do të kapte vlerën prej 70-80 milionë eurosh.

Los Urabenos është një nga grupet që qeveria kolumbiane i quan “bacrim”, shkurtim i “bandas criminales”, ose grupe kriminale. Presidenti Juan Manuel Santos e ka shpallur luftën kundër këtyre bandave një nga prioritetet kryesore të qeverisë së tij.

Varkat e shpejta përdoren nga bandat në përpjekje për të shmangur mbikëqyrjen teksa transportojnë drogat e prodhuara në Amerikën e Jugut në atë Qendrore, Meksikë dhe më pas në Shtetet e Bashkuara.

Në dy operacione të përbashkëta të zhvilluar muajin e kaluar, agjentë nga Shtetet e Bashkuara, Kolumbia, Panamaja dhe Republika Domenikane sekuestruan 2.500 kilogramë kokainë në rajon. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA