Irani, pesimist për bisedimet bërthamore

04/11/2013 15:45

Lideri Suprem i Iranit, Ajatollahu Ali Khamenei shprehi mbështetjen e tij për bisedimet me fuqitë ndërkombëtare në lidhje me programin bërthamor, por shtoi se nuk ndihet optimist mbi rezultatin e tyre.

Deklarata e Khameneit iu adresua studentëve universitarë dhe u raportua nga Agjensia Iraniane e Lajmeve “IRNA”.

“Nuk jam optimist mbi këto bisedime, por me bekimin e Zotit, nuk do të jemi ne ata që do të dalim të humbur nga këto negociata në çdo rast”, deklaroi Khamenei.

“Kjo përvojë do të rrisë kapacitetin diplomatik e intelektual të vendit tonë. Nëse bisedimet do të jenë të suksesshme, shumë më mirë. Nëse jo, kjo do të tregojë se Irani është në gjendje të qëndrojë gjithsesi në këmbët e tij i vetëm. Ne nuk duhet t’i besojmë një armiku që vetëm buzëqesh dhe thotë se është i gatshëm për bisedime, në të njëjtën kohë që gjithashtu na thotë se ka edhe alternativa të tjera mbi tavolinë”, shtoi Lideri Suprem.

Bisedimet mbi programin bërthamor Iranian rifilluan në Tetor midis Teheranit dhe gjashtë fuqive ndërkombëtare, SHBA, Rusi, KInë, Francë, Gjermani dhe Britani.

Irani, ekonomia e të cilit është dëmtuar ndjeshëm nga sanksionet e vendosura prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pretendon se zhvillimi i energjisë bërthamore në vend realizohet vetëm për përdorim civil.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA