
Parlamenti ukrainas ka rrëzuar një përpjekje të opozitës për të detyruar qeverinë që të dorëhiqej. Opozita kërkoi mbajtjen e një mocioni mosbesimi, që u rrëzua, ndërkohë që mijëra vetë protestonin jashtë selisë së Parlamentit.
Më herët kryeministri Mykola Azarov kërkoi falje në Parlament për dhunën e përdorur nga policia ndaj protestuesve. Protesta masive shpërthyen në mbarë Ukrainën pas vendimit të javës së kaluar të qeverisë për të mos nënshkruar MSA-në me Moskën.
Votëbesimi kundër qeverisë së zotit Azarov mbështetej nga 186 vota të opozitës, por dështoi në arritjen e 226 votave, që është dhe kuorumi i nevojshëm për aprovim. Para votimit në Parlament, kryeministri Azarov drejtoi një seancë të jashtëzakonshme.
“Në emër të qeverisë sonë, unë do të doja të kërkoja valje për veprimet e forcave tona të rendit në Sheshin e Pavarësisë. Presidenti dhe qeveria ndjejnë keqardhje për atë që ndodhi”, tha Azarov, duke iu referuar akteve të dhunës të regjistruara ditën e shtunë.
Duke folur përballë vërshëllimave të deputetëve të opozitës, kryeministri u kërkoi manifestuesve jashtë selisë së qeverisë që të tërhiqen dhe që të mos përsërisin Revolucionin Portokalli të vitit 2004.
“Ne jemi gati t’ju zgjasim dorën. Por ju duhet të tërhiqeni nga komplotistët, që kërkojnë pushtet dhe që përpiqen të përsërisin skenarin e vitit 2004”, u shpreh Azarov.
Top Channel