Njerëz, po vetëflijohen njerëz!

03/11/2013 11:45

Aleksandër ÇIPA – Një akt vetëflijimi me djegie ngjau në këtë fundjavë në qytetin e Durrësit. Një tjetër nisi të ngjante në qytetin e Fierit një ditë më pas.

Në rastin e fundit ishte një nënë 65-vjeçare në kushtet e tronditjes psikike, duke mbajtur në duart e veta edhe nipin dhe mbesën, fëmijët e djalit të vet. E bëri këtë, sepse nuk e duronte dot dramën e përditshme të urisë fizike të fëmijëve të djalit. Nuk e duronte më varfërinë dhe mungesën e ushqimit. Këto janë dy rastet e një kronike të nisur më herët e që ripërsëritet si një tragjedi me aktorë të ndryshëm në realitetin social të vendit. Asnjë ndalesë dhe përqendrim publik e institucional në këtë fat tragjik që shpaloset kaq bujshëm në sytë dhe për sfidë të publikut shqiptar. Ky është martirizimi social që mbyllet me aktin final të tragjedisë në Shqipërinë e sotme.

Një tragjedi e përsëritur që nuk po ia del të tërheqë syrin dhe mendjen e kësaj shoqërie. Syrin tonë nuk e tërheq më as flaka dhe as zhuritja e njeriut para njerëzve e, as përgjakja e njeriut para njerëzve. Kjo është një tablo tronditëse në brendi të së cilës qëndron një kujë e ardhme dhe një tragjedi në ndodhje.

Pamjet shokuese të një vetëdjegieje të tillë vitin e kaluar, në qendër të Tiranës e fokusuan për disa çaste shumica e mediave tona audiovizive. U raportua flaka dhe përpëlitja e viktimës mbështjellë me to. Një akt ekstrem, për të cilin askush nuk investigoi se si dhe ku kishte nisur, ndonëse u raportua vetëm fakti: kishte një gjendje të rënduar psikike. Matanë këtij raportimi empirik, në jetën e kësaj viktime përmblidhej një subjekt kompleks vështirësish dhe sfidash të humbura sociale, ekonomike dhe familjare dhe që shtriheshin përgjatë një kohe të gjatës të jetës së humbur tashmë të atij njeriu. Por drama e tij as nuk u ndal e as nuk u paralajmërua se do të vijonte me aktin tragjik. Sa e sa të tilla kanë ngjarë e vijojnë të ndodhin jo vetëm në Tiranë, Durrës, Fier e gjetkë?! Sa e sa të tilla kanë për të ngjarë në këtë Shqipëri kur kriza financiare dhe ajo sociale përmasohen për shkaqe e faje, për arsye të ditura e të pandala, për rrethana të tanishme dhe sidomos të mbartura, për pazotësi të njeriut dhe pafajësi të tij., etj.,etj.

Por që një gjyshe në moshën 65 vjeç të mbërrijë në aktin ekstrem të vetëflijimit, duke u spërkatur me benzinë në lulishten e qytetit që gjallon dhe zhurmon lëvizje e dyndje njerëzish, duke mbajtur në pëqi dy fëmijët e djalit të vet, “me sy të uritura e fytyra të zbehta”, kjo është një tragjedi që do të verbojë me shkëlqimin e vet tragjik pavëmendshmërinë tonë kolektive. Kjo flakë shpirtmarrëse është tentativë e pastër për të hequr sytë e lëvdimit dhe vetëmburrjes politike të atyre që lanë pushtetin dhe këtyre që erdhën në krye të tij, për të shërbyer për njerëzit dhe gjithë kategoritë e gjindshme në këtë vend. Kjo është një urgjencë që nuk e krijon ai që sapo hipën në karrige, por e ka trashëguar jashtë çdo vëmendjeje nga të shkuarit dhe të saposhkuarit. Në këto raste është përjashtimi i diferencës mes atij që ka realisht për ndihmë e që të mos bjerrë në prehrin e aktit final të vetëflijimit dhe atij që abuzon me ndihmën dhe administrimin e saj. Mes pasjes dhe mospasjes në këtë vend është krijuar shtresa e mashtrimit. Ndihmohet abuzuesi për llogari të nevojtarit. Kjo formulë e krijuar në këtë kohë të tranzicionit që ka edhe emrin “social”, një skotë e posaçme njerëzish të administrimit dhe listimit të nevojtarëve, janë fajtorët dhe mëkatarët, aktorët dhe protagonistët e zhvatjes dhe hajdutërisë sociale në Shqipëri.

Shpeshtimi i këtyre rasteve nuk është thjesht detaj i një realiteti spontan. Ka një zanafillë dhe brendi për të cilën shumëkush duhet vënë në lëvizje dhe angazhim. Ne jemi shumë pak për të qenë një shoqëri e kontrasteve kaq të fuqishme që shumëkush të nginjet në të mira e shumë të tjerë të përfundojnë në aktet vetëzhuritëse për shkak të kotheres së bukës. Traumat dhe shoku psikologjik nuk janë një rrjedhë e pakontrollueshme e aq më pak të pandalshme. Mjafton një zemërgjerësi dhe syçeltësi institucionesh sociale që të evitohen skena të tilla që të zgjojnë imazhe skandaloze të mjerimit që përshkruan Viktor Hygoi për Parisin e dy shekujve më parë. Imazhe të tilla evokojnë fatkeqësisht jo artin e Migjenit, por apelin e fuqishëm të tij: “Merreni këtë statujë e faljani dikujt,….atij që ka merita më shumë….”

Kësi viktimash nuk i japin mjerimit “mëshirë”, por e shpallin si të pamëshirshme këtë shoqëri, shtetin dhe klasën politike të vendit. Kësi aktesh me bujë matanë hapësirave urbane dhe shtetërore, ironikisht lartësojnë shtatoren e vetëmburrjes shqiptare për mjerimin e fshehur. Kësi tragjedish qytetëse ngrenë mbi shpirtrat indiferentë të kësaj shoqërie, shtatore që përzhiten e vetëzhuriten në sytë e të gjithëve. Për këtë arsye sytë e mendjes dhe vlera e institucioneve nevojiten për të shmangur përmasën e kësaj tragjedie sociale, këtë vetëdjegie njerëzish në sytë e njerëzve.

Marre nga gazeta “SHQIP”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA