NATO: Pa akord, tërhiqemi nga Afganistani

03/11/2013 02:45

NATO do të duhet të tërheqë të gjitha trupat ushtarakë në Afganistan deri në fund të vitit 2014, nëse presidenti afgan, Hamid Karzai, nuk do të nënshkruajë marrëveshjen e sigurisë me Shtetet e Bashkuara, bën të ditur shefi i aleancës, Anders Fogh Rasmussen.

Deklarata e tij u bë të hënën, disa javë pasi një asamble e pleqve afganë, Loya Jirga, miratoi paktin e sigurisë, që do t’i jepte formë pranisë ushtarake amerikane në vend përtej 2014-s. Karzai ka thënë se nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje, deri pas zgjedhjeve të muajit prill.

Forcat e udhëhequra nga NATO numërojnë aktualisht rreth 80 mijë trupa në Afganistan, shumica e të cilëve janë amerikanë. NATO është duke i dhënë fund operacioneve luftarake, duke u dorëzuar afganëve përgjegjësinë për të luftuar rebelët talebanë, disa kohë përpara tërheqjes së trupave të huaja ushtarakë deri në fund të vitit 2014.

NATO ka planifikuar të lërë një mision trajnimi, me një prezencë prej 8000-12000 ushtarësh, në Afganistan pas vitit të ardhshëm. Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se do të tërheqin të gjitha forcat në afatin e vendosur, nëse Karzai nuk firmos paktin.

Pa akordin SHBA-Afganistan, NATO nuk do të mund të finalizojë angazhimin e vet me qeverinë afgane duke përcaktuar një numër ushtarësh nga vendet e tjera partnere të NATO-s, për të qendruar në Afganistan përtej 2014-s, tha Rasmussen për reporterët.

“Nëse nuk firmoset akordi, ne nuk kemi kuadrin e duhur ligjor të përcaktuar, kështu që nuk do të mund të nisim një mision ‘trajtues, këshillues, asistues’ në Afganistan përtej 2014-s”, tha Rasmussen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA