
Hong Kongu ka konfirmuar rastin e parë të gripit të ri të shpendëve H7N9 tek një punëtore nga Indonezia. Punëtorja, 36 vjeç, së fundmi kishte udhëtuar në provincën Shenzhen të Kinës dhe kishte qenë në kontakt me shpendët.
Autoritetet deklarojnë se ajo është në gjendje kritike për jetën. Virusi H7N9 ka infektuar mbi 100 persona që kur u shfaq më herët gjatë vitit.
Rasti në Hong Kong është një shenjë se virusi mund të jetë duke u përhapur përtej tokës mëmë, Kinës, ku shumica e infeksioneve janë raportuar, si dhe në Taivan.
Organizata Botërore e Shëndetësisë kishte deklaruar se nuk ka pasur prova për transmetimin e virusit nga njeriu tek njeriu, por e cilësoi virusin H7N9 si jashtëzakonisht të rrezikshëm.
Të paktën 139 raste të virusit në fjalë tek njeriu janë konfirmuar, përfshirë 45 vdekje, njoftonte OBSH në një deklaratë të datës 6 nëntor.
Të paktën një rast u konfirmua në Taivan në muajin prill. Doktori Ko Wing Man, nga sekretariati i Hong Kongut për ushqimin dhe shëndetin, konfirmoi rastin e parë të virusit në territori në orët e vona të së hënës.
Ai tha se pacientja kishte udhëtuar në provincën Shenzhen, kishte blerë një pulë, e kishte therrur dhe më pas e kishte ngrënë. “Tani ajo është në gjendje kritike në spital”, tha ai, duke shtuar se katër persona që kishin qenë në kontakt me gruan po tregojnë simptoma të të njëjtit grip.
Aktualisht Hong Kongu është në gjendje alarmi shëndetësor dhe ka ndaluar importin e pulave të gjalla nga disa ferma përtej kufirit me tokën e palëvizshme.
Top Channel