Një komitet prej 50 anëtarësh, të ngarkuar me detyrën për të hartuar Kushtetutën e Egjiptit, ka aprovuar një projekt-kushtetutë, që mund të ndryshojë rendin e zgjedhjeve nga një plan i përcaktuar më parë, në mënyrë që të nisin me Presidencialet përpara se të votohet për legjislativin.
Udhërrëfyesi politik, i hartuar nga ushtria pas grushtit të shtetit të 3 korrikut, kundër presidentit të parë të zgjedhur në mënyrë civile e demokratike, Mohamed Morsi, kishte përcaktuar se zgjedhjet presidenciale do të mbaheshin pasi kombi të zgjidhte fillimisht Parlamentin e tij.
Plani, i miratuar nga komiteti ditën e diel, bën të ditur se “procedurat zgjedhore” mund të nisin brenda 6 muajsh, nga dita e ratifikimit të Kushtetutës. Ky plan i jep “fjalën e fundit” presidentit të përkohshëm, Adly Mansour, për të caktuar se cilat zgjedhje do të mbahen së pari, apo nëse të dy proceset do të zhvillohen në të njëjtën kohë.
Projekt-kushtetuta do të hidhet për votim në një referendum mbarëkombëtar në muajin janar. Nëse miratohet nga shumica e popullit, Egjipti mund të mos ketë një president të zgjedhur apo një Parlament, deri në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm.
Ndryshimi potencial në planin e zgjedhjeve, i sjellë nga projekt-kushtetuta, u iniciua nga shqetësimet brenda anëtarëve të komitetit se partitë e dobta laike nuk janë gati për të garuar në zgjedhjet parlamentare. Shefi i ushtrisë dhe ministri i Mbrojtjes, Abdel-Fatah el-Sisi, i cili udhëhoqi rrëzimin e Morsi-t në korrik, shihet nga shumë vetë si kandidati më potencial për Presidencën, edhe pse synimet e tij mbeten të paqarta ndaj publikut.
Disa anëtarë të Asamblesë ishin të prirur që zgjedhjet presidenciale të mbaheshin përpara, ose së bashku me zgjedhjet parlamentare, me shpresën se një tjetër kandidat i fuqishëm për president të mund të krijonte një aleancë elektorale për garën legjislative.
Drafti, i cili do t’i dorëzohet Mansour-it të martën, ka hasur në kritika nga aktivistët dhe grupet e të drejtave të njeriut, pasi lë në fuqi një nen, që i lejon civilët të gjykohen në gjykatat ushtarake të vendit. Statuti gjithashtu miraton një ligj, që parashikon se miratimi në avancë duhet të arrihet përpara se të vihen në skenë protesta të tjera apo mitingje.
Amendimet në projekt-kushtetutë kanë ndaluar gjithashtu krijimin e partive bazuar te feja, duke intensifikuar edhe më tej masat për të lënë jashtë “Vllazërinë Muslimane” të Morsi-t dhe krahun e tij politik, “Partinë për Liri dhe Drejtësi”.
Top Channel